Dosja që çoi në pranga rreth 50 persona në Itali ka në qendër të saj përgjimet e sekserit të akuzuar të Ndragheta-s, Antionio Gallo. Disa prej të akuzuarve janë shqiptarë, ndërsa Antonio Gallo, veç të tjerash ka një biznes në zonën e ish bllokut në Tiranë.
Biznesi në fakt është një ndër të shumtër biznese italiane në vendin tonë import-export rrobash e mallrash, por në historinë e këtij grupi Antimafia ka pretendime te forta për ushtrim aktiviteti kriminal e mafioz!
Përgjimet kanë zbuluar një rrjet njohjesh në Itali, përmes të cilave Gallo synonte të shtonte apo të pastronte paratë e mafias italiane në këmbim të mbështetjes politike për funksionarët italianë.
Përgjimet dëshmojnë, se si ky person gjeti kontaktet deri në Tiranë, për të arritur tek ndërtimet shumëkatëshe të kryeqytetit shqiptar. Mediat italiane shkruajnë se me paratë e mafias dhe lidhjet në politikë, Antonio Gallo njihet me avokatin Claudio Larussa, me të cilin planifikoi investimet në Shqipëri, së bashku me një ish oficer të policisë italiane. Ky i fundit përmend edhe emrin e politikanit Pier Ferdinando Casini dhe ndikimin e tij tek politikanët shqiptarë.
“Gallo dhe Larussa, pëlqehen me njëri tjetrin, flasin të njëjtën gjuhë dhe bien dakort. Në radhë të parë për rolin që duhet të ketë Casini, i vlerësuar në Shqipëri, edhe sepse është në Komisionin e Jashtëm. “Por duhet të kesh një marrëdhënie me politikanët atje, prandaj ky duhet të të krijojë një raport… me të cilin mund të arrihet shumë” citon sot përgjimet gazeta La Republika.
Mediat italiane premtojnë të zbardhin të tjera zhvillime nga dosja në ditët në vazhdim, ndërsa i kanë kushtuar një vend të veçantë planeve të të përgjuarve për investimet në Shqipëri. Deri tani, biseda më pikante e Antonio Gallo është ajo me një sipërmarrës tjetër, Antionio Speziali. Të dy komentojnë avokatin Klaudio Larussa dhe një kontakt të tij në Tiranë, një biznesmen me emrin “Niku”. Ai përshkruhet si një person, lidhjet e të cilit shkojnë deri tek kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velija.
Të dy flasin se si Larusso ka pasur edhe një takim me kryebashkiakun Veliaj për investimet në kryeqytet. Në bisedë flitet edhe për çmimet e shitjes, një metër katror që shkon deri në 2-3 mijë euro në qendër të qytetit.
Pjesë nga biseda e datës 28 tetor 2017 ora 9.24 min e 37 sec, kohëzgjatja 5 minuta e 09.