Përgjimet e reja nga burgu/ “Është tërhequr ajo se e ka b… keq, ti e di historinë! Zbardhen bisedat mes vëllait të të dënuarit dhe sekretares

Në dinamikën e zhvillimit të hetimeve ka rezultuar se gjatë komunikimeve telefonike të shtetasit R. H., ky i fundit ka kontakte telefonike me përdoruesin e numrit celular xxx141, i cili thirrej me emrin “Gazi” (i identifikuar si shtetasi Gazmir Nezaj).

Nga komunikimet mes këtyre dy shtetasve kanë dalë të dhëna për dyshime të një rasti për korrupsion në drejtësi. Konkretisht, shtetasi Gazmir Nezaj ka bërë takime dhe interesohej për të liruar nga burgu vëllanë e tij, shtetasin Gentjan Nezaj, i cili është arrestuar dhe më pas dënuar për “Prodhim dhe shpërndarje narkotikësh”, pasi është kapur në vitin 2016 me rreth 31 kg marijuanë në makinë, në Kamzë.

Shtetasi Gentjan Neza po vuante dënimin në IEVP Fushë-Krujë. Referuar këqyrjes së faqes së internetit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë rezulton se në këtë Gjykatë është regjistruar më datë 05.06.2020 një kërkesë e të dënuarit Gentjan Nezaj me objekt “Aplikim dënimi alternativ/ qëndrim në shtëpi”. Gjyqtare e çështjes rezulton të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Enkeleida Hoxha. Në dosjen e SPAK-ut janë zbardhur përgjime mes vëllait të të dënuarit dhe kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila i tregon se kërkesa e të vëllait i shkon në dorë gjyqtares së “preferuar”. I dënuari Gentian Nezaj ishte kujdesur që edhe kjo kërkesë t’i bjerë gjyqtares së preferuar Enkeleida Hoxha, lidhje e avokatit Aldo Tabaku, nga i cili kishte marrë garancinë se kërkesa do të pranohej falë marrëdhënies që ai kishte me gjyqtaren.

PJESE NGA PERGJIMET NE DOSJEN E SPAK

Më date 22.06.2020, ora 12:00, Isuf Tanuzi komunikon me shtetasin Gazmir Nezaj, si më poshtë:

Isuf Tanuzi: Alo!

Gazmir Nezaj: Alo eee, ku je? Unë në Fushë-Krujë jam qitash.

Isuf Tanuzi: Ku të dush ti, takohemi.

Gazmir Nezaj: Unë po shkoj edhe po e pres atë shokun atje, qysh e ka…

Isuf Tanuzi: Ku?

Gazmir Nezaj: Teee parku, ku isha atë ditë me Gjergjin, se aty e kam lënë me ta unë, a je ka kupton?

Isuf Tanuzi: Mirë, kur të jesh atje, më thirr.

Gazmir Nezaj: Po, po.

Isuf Tanuzi: Unë afër jam, afër “Nord Parkut” jam.

Gazmir Nezaj: A je ndal kund ti?

Isuf Tanuzi: Po.

Gazmir Nezaj: Ndaç vi unë.

Isuf Tanuzi: Jo, se jam ndal me ca njerëz, do të vij me italianët te ti.

Më 22.06.2020, ora 12:26, numri xxx777, që i përket një shtetasi të paidentifikuar, komunikon me shtetasin Gazmir Nezaj dhe biseda ka këtë përmbajtje:

777: A mos je ka Sauki?

Gazmir Nezaj: Jo, jam ke ai lokali ku hëngrëm drekë, te “Nord Park”-u, Fushë-Krujë, sa u ktheva prej Kruje.

777: Hë ç’a u bë?

Gazmir Nezaj: Hiç, hala, s’e qemë tërheq na atë ditë. U desh me e marrë letrën ene me e çu andej, dy herë e bana Fushë-Krujë – Krujë.

777: Pse u tërhoq?

Gazmir Nezaj: Qashtu tha avokati burrë, ku po di…

777: E tash?

Gazmir Nezaj: E tash, sot do qesin ata shortin edhe javën tjetër fillon gjyqi prapë.

777: Pse u tërhek gjyqtaren eee… (nuk kuptohet mirë)

Gazmir Nezaj: Aaaa nuk e di, gjoja janë konë ka përgjojnë edhe seç ka fol ai aty mrena eee… duhet me u terheq.

777: Është tërheq ajo, se ajo e ka bythën keq ajo, se ti e di historinë e saj.

Gazmir Nezaj: Po pra po, po bie prapë ajo, po vetëm atë ditë se tha ky…

777: Me kë je?

Gazmir Nezaj: Me babën vetëm. Mori në telefon Beni, ka vjen këtu. Ka bij me të taku.

777: Unë jam në Sauk, këtu tashti ka i futin një tub me i nxjerrë.

Edhe në këtë bisedë Gazmiri i komunikon bashkëbiseduesit se ata do të hiqnin dorë nga kërkesa pasi gjyqtarja kishte frikë, por nga ana tjetër, e informon se do ta ribënin kërkesën dhe se ajo do t’i binte sërish së njëjtës gjyqtare.

Siç ishte planifikuar, vetëm pas pak ditësh, më 01.07.2020, i dënuari Gentian Nezaj ka depozituar në sekretarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë të njëjtën kërkesë, me të njëjtin subjekt: “Aplikim dënimi alternativ”. Shtetasi Gentian Nezaj kujdeset që edhe kjo kërkesë t’i bie gjyqtares së preferuar, Enkeleida Hoxhës, lidhje e avokatit Aldo Tabaku, nga i cili kishte marrë garancinë se kërkesa do të pranohej falë marrëdhënies që ai kishte me gjyqtaren. Me qëllim që çështja t’i kalonte gjyqtares Hoxha, shtetasi Gazmir Nezaj kontakton sërish kryesekretaren e Gjykatës, Manuela Mallkuçin.

Më 01.07.2020, ora 11:14, Gazmir Nezaj Komunikon me Manuela Mallkuçin dhe nga përgjimi është përftuar kjo bisedë:

Gazmir Nezaj: … Hiç, n’punë apo n’shpi?

Manuela Mallkuçi: Jo, jo, jam pak te “Hygeja” për mamin.

Gazmir Nezaj: Eee?

Manuela Mallkuçi: Te spitali jam.

Gazmir Nezaj: E po pse?

Manuela Mallkuçi: Kam sjellë pak mamin.

Gazmir Nezaj: E po si e ke?

Manuela Mallkuçi: Po kështu më mirë e kam më mirë. T’shohim tani se do ta fus për koronaren.

Gazmir Nezaj: Ee.

Manuela Mallkuçi: T’shohim ç’a do m’dali.

Gazmir Nezaj: E hajde se për gjithçka po t’marr prapë n’telefon.

Manuela Mallkuçi: Faleminderit, po dëgjo tani dëgjo, meqë më more.

Gazmir Nezaj: Hë…

Manuela Mallkuçi: Ajo nesër i shkon asaj n’dorë, ajo kërkesa…

Kjo bisedë është shumë e rëndësishme pasi shtetasja Manuela Mallkuçi e siguron Gazmirin se kërkesa do t’i shkonte asaj në dorë, gjyqtares Enkeleida Hoxha. Shumë domethënëse është se kjo bisedë zhvillohet ditën që është regjistruar kërkesa nga Gentian Nezaj në sekretari.

Më 02.07.2020, ora 09:55, Gazmir Nezaj komunikon me shtetasen Manuela Mallkuçi, ku përftohet ky komunikim:

Gazmir Nezaj: Si, si?

Manuela Mallkuçi: Kërkesë Gentianit?

Gazmir Nezaj: Po.

Manuela Mallkuçi: Nesër i shkon gjyqtares n’dorë, e kam regjistruar…

Gazmir Nezaj: E ke regjistruar? I shkon nesër gjyqtares?

Manuela Mallkuçi: Po… po…

Author: admin