Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të bëra nga kryeministri Edi Rama ndaj opozitës dhe Kreut të Shtetit, menjeherë pas publikimit të lajmit të humbjes së gjyqit me biznesmenin italian Francesko Beketi, për shkak të mbylljes së televizionit “Agon Channel”.
Në një postim në Twitter, Rama derdhi një lumë akuzash ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe Partisë Demokratike.
“Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon! Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt!”- shkruan Rama në reagimin e tij.
Partia Demokratike reagoi ndaj akuzave të Ramës.
“Edhe në ditën kur i duhet të perballet me dështimin e radhës, Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se sulmon PD dhe opozitën. Shqipëria ngeli në baltë me Ramën për 8 vjet- ky është fakt, sikundër mbetet po fakt që shqiptarët duhet të paguajnë 4560 lekë të reja nga xhepi, këtë herë për shkak të arrogancës së Edi Ramës. Është koha për ndryshim, që Shqipëria të ketë një qeverisje të përgjegjshme. Këtë do ta vendosin shqiptarët me votën e tyre në 25 prill. Ditën kur Rama do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë” – thuhet në një deklaratë të selisë blu.
Më herët ishte ish-deputetja Jorida Tabaku që reagoi për këtë çështje duke u shprehur se Edi Rama duhet larguar, sepse çdo ditë e tij më shumë në pushtet është kosto për vendin dhe çdo qytetar e familje.
“Çdo shqiptar duhet të paguajë një gjobë prej 4,560 lekësh të reja vetëm për faj dhe keqmanxhim të Edi Ramës. Shqipëria do t’i paguajë përfundimisht 110 milion euro sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, si pasojë e mbylljes me dhunë të televizionit “Agon Channel”. Këto janë para që dalin direkt nga xhepat e qytetarëve vetëm për shkak të arrogancës dhe arbitraritetit të një njeriu të vetëm, Edi Ramës.
Kjo është vetëm një nga faturat që Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet të paguajnë për faj të këtij njeriu që nuk njeh rregulla dhe refuzon t’i zbatojë ato dhe që e trajton vendin si çiflig të tijin personal. Edi Rama duhet larguar, sepse çdo ditë e tij më shumë në pushtet është kosto për vendin dhe çdo qytetar e familje” – shkroi Tabaku në rrjetet sociale.