Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u ndal sot në Shkodër, ku prezantoi kandidatët për deputetë të forcës politike që ajo drejton për kryeqendrën e Veriut.
Gjatë një ecje në qytetin e Shkodrës Monika Kryemadhi është takuar rastësisht me kryesuesin e listës së qarkut të Shkodrës për Partinë Demokratike, Helidon Bushati.
Kryemadhi dhe Bushati kanë biseduar në lidhje me situatën në qarkun e Shkodrës dhe pritshmëritë e opozitës së bashkuar për të marrë 8 mandate, dy nga të cilat LSI.
Ndërkohë që na ndajnë 29 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, koalicioni opozitar duket i bashkërenduar në arritjen e objektivit të përbashkët.
Më herët Kryemadhi duke iu referuar kryebashkiakes së PD-së Voltana Ademi, u shpreh se qytetarët shkodranë janë me fat që nuk kanë një “rilindas” në krye.
Sjellim në vëmendje që PD dhe LSI e argumentuan vendimin për dalje me lista të ndryshme për zgjedhjet, si një vendim për të ruajtur identitetin e tyre partiak dhe për të maksimalizuar fitoren.