Belinda Balluku u zgjodh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama në janar 2019, pas largimit nga posti të Damian Gjiknurit. Më parë, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol.
Belinda Balluku mban titullin juriste dhe në vitin 1999 është diplomuar për Administrim Biznesi në Institutin Teknologjik të Athinës. Znj. Balluku ka kryer një sërë kualifikimesh të tjera në fushat e Sigurisë Ajrore, Telekomunikacionit, Burimeve Njerëzore, Menaxhimit të Qeverisjes Vendore dhe Drejtimit të Institucioneve Sociale.
Në vitet 2000-2004, ajo ka punuar në kompaninë e telekomunikacionit AMC, ndërsa në vitin 2004 iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si Këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si drejtore e Kabinetit të kryebashkiakut Edi Rama. Balluku është angazhuar në Partinë Socialiste prej vitit 2006.
Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e deklaruara të anëtarëve të Këshillit të Ministrave në vitet 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ministrja Belinda Balluku nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2013, Belinda Balluku deklaronte pasuri familjare me vlerë 128.6 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria kap vlerën e 143.4 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 2.4 milionë lekësh.
Në fund të vitit 2018, Znj.Balluku deklaron pasuri të patundshme prej 61.6 milionë lekësh, likujditete bankare prej 54 milionë lekësh, pasuri të luajtshme prej 12.8 milionë lekësh dhe kursime në cash prej 14.9 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 55.6 milionë lekë, nga të cilat rreth 66% burojnë nga paga e Znj.Balluku dhe 31% nga paga e familjarëve. Rreth 1.4% e totalit kanë si burim të ardhurat nga qiratë.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me problem.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” vlerat e larta të likujditeteve cash të mbajtura jashtë sistemit bankar nga Znj.Balluku. Në fund të vitit 2018, gjendja e deklaruar cash është 92 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë – shumë herë më i lartë sesa kufiri i lejuar prej 1.5 milionë lekësh jashtë sistemit bankar për zyrtarët publikë.
Vlen gjithashtu për t’u sqaruar se në analizën e pasurisë së Znj.Balluku janë përfshirë edhe pronat në bashkëpronësi si dhe depozitat dy-emërore me ish-bashkëshortin e saj, Sokol Balla. Pas vitit 2014, nuk deklarohen më të ardhurat e Z.Balla, por vetëm shtesa të likujditeteve në bankë të depozitave dy-emërore./ BIRN