Pas pesë muajsh pezullim, sot nis kolaudimi i mjeteve, të para kamionët dhe mjetet e institucioneve shtetërore.
Njoftim për rinisjen e shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve:
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit njofton që shërbimi i Kontrollit Teknik do të rinisë sipas një kalendari të mirëorganizuar sipas kategorive më prioritare për transportin rrugor, përkatësisht:
Nga data 31 maj 2021 rinis shërbimi i Kontrollit Teknik sipas një grafiku të planifikuar për:
Kamionët, rimorkiot dhe tërheqësit të cilëve iu ka skaduar Certifikata e mëparshme e Kontrollit Teknik e lëshuar nga SGS;
Të gjitha mjetet në pronësi të institucioneve shtetërore.
Pas një njoftimi të dytë nga DPSHTRR me data të përcaktuara për muajin qershor dhe me mundësi rezervimi të datës dhe orës për kryerjen e shërbimit të Kontrollit Teknik në çdo Qendër të Kontrollit Teknik, do të vijohet me:
Të gjitha mjetet e përdorura të regjistruara për herë të parë në Republikën e Shqipërisë nga data 1 janar 2021 të cilat nuk janë pajisur ndonjëherë me Certifikatë të Kontrollit Teknik;
Të gjitha mjetet të cilave u ka përfunduar Certifikata e Kontrollit Teknik deri në datën 23 dhjetor 2020 (nga hyrja në fuqi e Aktit Normativ) ose nuk e kanë kaluar Kontrollin Teknik dhe duhet të riparaqiteshin brenda datës 31 dhjetor 2020;
Mjete të tjera rrugore për transport mallrash të rrezikshme;
Mjete rrugore për transportin e udhëtarëve ndërkombëtar dhe ndërqytetës (lloji autobus);
Taksitë, autoshkollat dhe mjetet e tjera në pronësi të subjekteve.
Të gjitha autoveturat të cilat janë pajisur me Certifikatë të Kontrollit Teknik gjatë periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2020, do të njoftohen nga DPSHTRR në një moment të dytë për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë nga 1 vit në 2 vjet, për shkak të ndryshimeve të përcaktuara në Kodin e Ri Rrugor.
Gjatë kësaj periudhe pritjeje, të gjithë drejtuesit e mjeteve që bëjnë pjesë në këtë kategori, nuk do të penalizohen nga organet e kontrollit në rrugë.
Sigurohuni që gjatë udhëtimit me mjet, të keni me vete Certifikatën e Kontrollit Teknik të lëshuar në vitin 2020, si dhe vërtetimin e pagesës së taksave vjetore brenda afatit të përcaktuar:
VINI RE: Të gjitha mjetet, pavarësisht nëse preken apo jo nga ndryshimet e këtij shërbimi, duhet të vijojnë të paguajnë rregullisht taksat vjetore të mjeteve në afatet ekzistuese, pranë drejtorive rajonale e nënzyrave të DPSHTRR ose përmes e-Albania online!
Mjetet e reja me 0 km:
Të gjitha mjetet e reja të llojit autoveturë, ATP dhe motomjete, përjashtuar ambulancat dhe taksitë, të cilat regjistrohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, mund të qarkullojnë pa kryer kontrollin teknik për një afat tre vjeçar nga data e regjistrimit për herë të parë!
Të gjitha mjetet e tjera të reja të ndryshme nga sa më lart, të cilat regjistrohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, mund të qarkullojnë pa kryer kontrollin teknik për një afat një vjeçar nga data e regjistrimit për herë të parë!
*Mjet i ri quhet çdo mjet, i cili nuk është regjistruar në asnjë shtet më parë.