Partia Republikane ende nuk e gjetur dakordësinë në tryezën negociatore me selinë blu për të dalë bashkë në zgjedhje, por pavarësisht kësaj, Fatmir Mediu kërkon që opozita të jetë e bashkuar në çdo qendër votimi, për të garantuar sigurinë e çdo vote në drejtim të saj.
“Ajo që po kërkojmë ne është që të bashkëpunojmë me Partinë Demokratike në çdo qendër votimi, në mënyrë që të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të garantojmë që të gjithë qytetarët që duan të votojnë opozitën, pavarësisht se cilën parti politike, ne t`i çojmë në qendrat e votimit dhe të bëjmë të mundur që ata të votojnë të lirë”, tha Mediu.Përsa i përket mënyrës sesi do të dilet në zgjedhje, Mediu kërkoi që në lista të jenë njerëzit e aftë për të mbledhur vota.
“Vendimmarrja nuk mund të mbetet thjesht tek lidershipi politik, në zyrat e PR-së apo të PD-së, por në uljen dhe konkretizimin e çdo marrëdhënie me çdo individ. 30 vjet ne kemi qenë së bashku dhe vazhdojmë të jemi së bashku. Kemi qenë në momente të vështira, edhe në momente të qeverisjes, por ajo që na ka karakterizuar gjithë kohës, ka qenë një bashkëpunim për të maksimalizuar votën dhe njëkohësisht për të vlerësuar njerëzit më të mire”, u shpreh kreu I PR gjatë një takimi me shtabin elektoral në njësinë 1 në Kryeqytet.
Mediu po e vijon i vetëm rrugën drejt 25 prillit, në një kohë kur ende nuk ka zyrtarizuar marrëveshjen me Bashën për një listë të përbashkët.
Ai ka prezantuar kandidatët në Tiranë, Shkodër e Fier, ndërsa ka nisur mbledhjen e firmave të nevojshme që i duhen për tu regjistruar i vetëm në zgjedhje. Ndërkohë burime për Report Tv thanë se pretendimet e tij në tryezën e negociatave me demokratët janë ulur, duke kërkuar vetëm dy mandate në zonën e sigurt të listës zgjedhore në Tiranë, dhe përfaqësim në qarqet e tjera poshtë zonës së sigurt