Papa Françesku u largua të hënën nga Iraku pas një vizite katër ditëshe që përfshinte takime me udhëheqës të krishterë dhe myslimanë, gjatë së cilës predikoi mesazhin e bashkëjetesës.
Presidenti irakian Barham Salih ishte në mesin e atyre që morën pjesë në një ceremoni lamtumire në aeroportin e Bagdadit.
Të dielën, papa vizitoi Mosulin, dikur një bastion i grupit militant Shteti Islamik, ku ai u lut për viktimat e luftës në Irak në një shesh të qytetit.
Papa Françesku udhëtoi gjithashtu në Karakosh, një qytet i lashtë i krishterë që ishte pushtuar nga forcat e Shtetit Islamik. Ai u takua me pjesëtarët e komunitetit lokal në Kishën “Ngjizja e Papërlyer”.
Ai udhëhoqi një meshë nën qiellin e hapur në në stadiumin Franso Hariri në Erbil. Për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë e COVID-19, pjesëmarrja ishte e kufizuar në 10 mijë veta.
Të shtunën, papa 84 vjeçar u takua me Ajatollahun e Madh, Ali al-Sistani, udhëheqësin 90 vjeçar mysliman në shtëpinë e tij modeste në Najaf.
Alia al-Sistani është një nga personalitetet më të rëndësishme Shiite dhe ushtron ndikim të konsiderueshëm në Irak dhe më gjerë.
Prania e të krishterëve në Irak daton që në shekujt e parë të shpërndarjes së besimit, por sot kanë mbetur vetëm disa qindra mijëra të krishterë.
Vizita e papës në Irak ishte e 33-ta jashtë Italisë dhe e para në 15 muajt e fundit, për shkak të pandemisë së koronavirusit./Voa/