Në A-Show me gazetarin Adi Krasta, eksperti i ekonomisë Pano Soko e cilësoi dramatike faktin që Shqipërisë iu dhanë nga Bashkimi Evropian 600 milion euro për të përballuar pandeminë dhe për të ndihmuar ekonominë dhe qeveria Rama në mënyrë harbute u dha një kompensim qesharak qytetarëve të prekur nga Covidi.
“Situata në Gjirokastër ishte siç e kisha e lënë, shumë e tensionuar nga pikëpamja ekonomike. Pasoja e krizës i vuajnë më shumë ata që janë në periferi. Le të themi që po bien kambanat. Mjekët janë në përgjithësi më të involvuarit në këtë situatë. Problemi me mjekët e kemi si i trajtojmë ne ata. Dhe ne mjekët i kemi vënë shpesh në tabelën e qitjes, ose edhe të jashtëqitjes.
Ne kemi kryeministrin, ministrin e Shëndetësisë, drejtor spitalesh dhe në fund kemi mjekët. Dhe nuk merremi me këta të parët, por merremi me të vegjlit.
Kur vjen te paratë Covidi është një sëmundje që kushton. Vendet e Europës e dinë këtë gjë. Prandaj qeverisë shqiptare i janë akorduar 600 milion euro me destinacion të pastër për të mbuluar pasojat në ekonomi dhe shëndetësi.
Zhgabat vijnë për të bërë gosti dhe kështu ndodh sot. Një kurim i Covid mesatarisht kushton 50 mijë lekë. Qeveria një pjesë të këtyre lekëve që kanë marrë për të trajtuar këtë gjë, duhet t’i akordonte për të sëmurët. Por çfarë ndodh? Pasi kalon 10 muaj Covid, jep ca shifra qesharake. Jep 10 mijë lekë për rastet e lehta dhe 12 mijë lekë të reja për rastet e mesme.
Këtu ka një gërshetim të moskokëçarjes së kryeministrit dhe të servilëve që i rrotullohen.
E gjitha kjo ndodh që aty poshtë ka ndonjë të devotshëm dhe ai sipër është moskokëçarës.
Ato janë para që po shkojnë për qëllime të tjera. Mund ti jepnin qytetarëve një kompensim dinjitoz.”