Pandemia Covid -19 ka krijuar vështirësi në tregun e punës duke cenuar kryesisht grupet më të prekshme, gratë dhe të rinjtë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2020 humbën punën mbi 12 mijë e 600 persona në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në fund të vitit 2020 INSTAT raportoi se ishin të punësuar 264 mijë e 300 të rinj, ndërsa në fund të vitit 2019 ishin të punësuar 276 mijë e 984 persona.
Shumë të rinj që kanë humbur punën janë drejtuar për ndihmë në zyrat e punës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tre mujorin e katërt të vitit 2020 ishin të regjistruar të papunë rishtas në zyrat shtetërore të punës rreth 5000 të rinj të moshës 15-29 vjeç.
Të dhëna të tjera sektoriale sugjerojnë se të rinjtë që kanë humbur punën ishin të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe bizneseve të lidhura me turizmin, si hotelet, baret dhe restorantet. indeksi i punësimit në këto aktivitete shënoi rënie nga 35-50 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020.
Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës treguan se gjatë tremujorit të fundit të vitit humbën punën mbi 37 mijë persona, prej të cilëve 33 % ishin të rinj.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, kur ndikimi i pandemisë në tregun e punës ishte më i mprehte dolën të papunë rreth 47 mijë persona, mirëpo me ardhjen e sezonit turistik punësimi nisi rigjallërimin, madje treguesit e punësimit shënuar përmirësim te të rinjtë sidomos. Me përfundimin e sezonit turistik dhe rikthimin e valës pandemike mijëra të rinj e humbën sërish punën.
Rritja e papunësie në moshën 15-29 vjeç ndikon për keq trendët e emigracionit në vend që ishin të larta edhe para krizës pandemike.
Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70% e 20 -vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018.
Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se te grup-moshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh socialë dhe ekonomikë, thotë Gëdeshi. instituti Shqiptar i Statistikave ka raportuar se vitin e kaluar, 25.5% e të rinjve nga mosha 15 – 24 vjeç nuk ishin as në shkollë dhe as në punë.
Studimi mbi të Rinjtë 2018-2019 i institutit Gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) tregon se potenciali për të emigruar në grup-moshën 15-29 vjeç është rreth 60%.
Dëshira e të rinjve për të ikur jashtë vendit është më e lartë se në popullsinë e përgjithshme, ku sipas barometrit të Ballkanit, gjysma e të pyeturve në Shqipëri, pa dallim moshe, raportojnë se do të dëshironin të jetonin larg vendit vitin e kaluar./Monitor