Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se vdekjet dhe infektimet nga COVID-19 në vend janë nga më të lartat në botë dhe akuzoi qeverinë se nuk po jep asnjë ndihmë.
Vasili tha sot se të gjitha llojet e masave të marra ishin masa politike dhe elektorale. Sipas tij, “kufizimet pa kuptim, mbyllja me orare pa asnjë vlerë, gjobitja e dhjetëra mijëra qytetarëve, mbi 80 e ca mijë qytetarë janë gjobitur, ishin sigurisht masa të cilat kishin kuptim vetëm që të krijonin presion, në emër të qëllimeve politike dhe jo në emër të përballimit të pandemisë”.
“Të gjithë ju sot, më shumë se kurrë më parë keni pritur dhe prisni që qeveria t’iu mbështesë në vështirësitë e mëdha me të cilat po ndesheni, për shkak të pandemisë së Covid 19. Është një fakt shumë i rëndë që shifrat e vdekshmërisë, por edhe të prekjes dhe infektimit të qytetarëve, janë në nivelet më të larta botërore. Pra vdekshmëria dhe infeksioniteti janë në nivelet më të larta botërore. Është shumë e qartë për këdo, që të gjitha llojet e masave të marra ishin masa politike dhe elektorale. Kufizimet pa kuptim, mbyllja me orare pa asnjë vlerë, gjobitja e dhjetëra mijëra qytetarëve, mbi 80 e ca mijë qytetarë janë gjobitur, ishin sigurisht masa të cilat kishin kuptim vetëm që të krijonin presion, në emër të qëllimeve politike dhe jo në emër të përballimit të pandemisë.
Të gjithë ju sot, i keni sytë dhe keni shpresuar se qeveria do t’u përgjigjej atyre qindra mijëra të sëmurëve të cilët ndodhen në banesat e tyre, të cilët nuk kanë asnjë ndihmë ekonomike e shëndetësore, për të përballuar situatën. Çdo i sëmurë që trajtohet në banesë, kërkon barna dhe shërbime mjekësore, të cilat nuk ka mundësi t’i përballojë. E para, sepse nuk ka mundësi ekonomik edhe e dyta është detyrim ligjor në çdo kohë e jo më në pandemi, që këto para, kjo ndihmë duhet t’u jepej vetëm e vetëm nga shteti i tyre. Por ju sot shikoni, që në vend që t’i kthejë përgjigje kësaj situate kritike që shohim përditë, mijëra të infektuar janë përditë, mesatarja e vdekjeve është dyfishuar nga pak javë më parë, duke arritur nivelet më të lata botërore, shikoni sesi kryeministri bën sikur inspekton vaksinimin”, tha ai.
Sipas Vasilit, të gjithë e dinë, edhe profesionistët e shëndetësisë, duke iu drejtuar atyre në këtë rast, që sasia e vaksinave është një sasi tërësisht e pamjaftueshme dhe qesharake, për të përballuar situatën.
“Procesi i vaksinimit patjetër le të eci, është i mirëpritur, do të duheshin dhjetëra herë më shumë sasi vaksinash. Por në derën e çdo shqiptari, në mënyrë kritike janë mijëra të sëmurë, që infektohen përditë, që kanë probleme të mëdha për sigurimin e barnave, të cilat kushtojnë sa qimet e kokës. Që kanë nevojë për oksigjen, kanë nevojë për kujdes infermieror. Pra të gjitha injeksionet që bëhen në banesë, e të gjitha këto po zhvillohen patjetër, se nuk ka një rrugë tjetër, në mënyrë private, duke i kushtuar shqiptarëve dhe xhepave të tyre qindra e mijëra, e miliona lekë, e duke krijuar një dramë shëndetësore e ekonomike. Në rastet fatlume kur pacientët shkojnë mirë, të nesërmen e këtij lajmi shumë të mirë, pllakos lajmi i rëndë dhe krijimi i një qorrsokaku të tmerrshëm, sepse nuk kanë mundësi të lajnë borxhet e tyre. Pra kalohet nga një dramë në tjetrën”, deklaroi nënkryetari i LSI
Ai tha se kjo qeveri dhe ky kryeministër për t’i ikur problemit, bën sikur inspekton vaksinimet. “Bën sikur shëtit nëpër Shqipëri duke i hallakatur njerëzit nëpër stadiume ditën për diell, përtej çdo rregulli vaksinues e ndërkohë nuk i ka dhënë përgjigje me vaksinimin asnjë kategorie të caktuar. Duhen minimumi 65-70 mijë vaksina së paku për të vaksinuar personelin mjekësor. Personeli mjekësor nuk është vetëm mjek. Është dhe infermieri. Dhe sanitarja që shërben dhe punonjësit e tjerë ndihmës. Kushdo që lëviz në një ambient spitalor ka nevojë patjetër të vaksinohet. I gjithë personeli shëndetësor. Ai që shërben në spitalet publike, por dhe ai që shërben në spitalet private duhet vaksinuar. Nuk ka ndarje në këtë çështje. Pasi dhe në shërbimin privat trajtohen qindra e mijëra pacientë e qytetarë. Pa i dhënë asnjë lloj përgjigje, pa shteruar një çështje të caktuar, pra ushtria që shërben, e mjekëve, infermierëve, atyre që ngrenë barelat, atyre që ndihmojnë të sëmurët në të gjitha format, pa i dhënë përgjigje kësaj, kryeministri ynë i famshëm bashkë me ministren përqark bëjnë show sesi po vaksinojnë 300-500 apo 700 të moshuar. Edhe për të moshuarit mbi 80 vjeç, që janë mbi 80 e ca mijë. Vetëm për ta duhen minimalisht 180 deri ne 200 mijë vaksina”, tha Vasili.
Sipas tij, rreth 20 e ca mijë vaksina nuk zgjidhin asgjë.