Presidenti Joe Biden po vendos një objektiv të ri për imunizimet, për të vaksinuar me një dozë 70 për qind të amerikanëve të rritur deri më 4 korrik. Objektivi i ri, i cili gjithashtu përfshin vaksinimin plotësisht të 160 milionë të rriturve deri në Ditën e Pavarësisë, vjen ndërsa kërkesa për vaksina ka rënë dukshëm në të gjithë vendin, madje disa shtete nuk kanë bërë porosi për më shumë se gjysmën e dozave që duhet të merrnin.
Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden bëri thirrje që shtetet t’i bëjnë vaksinat të disponueshme për njerëzit, që ata t’i marrin sipas dëshirës, pa lënë takim. Ai do të nxjerrë udhëzime që shumë farmaci të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që administrata e tij po merr masa për herë të parë për të dërguar vaksina nga shtetet me kërkesë më të pakët tek ato më të interesuara.
Objektivi i ri i Presidentit Biden është një pranim i heshtur i faktit se interesimi për vaksinat ka rënë. Tashmë më shumë se 56% e amerikanëve të rritur kanë marrë të paktën një dozë dhe gati 105 milionë janë vaksinuar plotësisht. Shtetet e Bashkuara aktualisht po i administrojnë dozat e para me një ritëm prej rreth 965,000 në ditë – gjysma e normës së para tre javëve, por pothuajse dy herë më shpejt sesa duhet për të përmbushur objektivin e zotit Biden.
Njoftimi vjen ndërsa administrata Biden është larguar nga caktimi i një objektivi për arritjen e imunitetit të tufës. Në vend të kësaj ajo po synon të administrojë sa më shumë vaksinime. Zyrtarët thanë se përmbushja e këtij objektivi do të rezultojë në ulje të konsiderueshme të rasteve me COVID-19 para stinës së verës. Për këtë qëllim, administrata po e zhvendos fokusin e qeverisë drejt zgjerimit të klinikave më të vogla dhe të lëvizshme të vaksinimit për t’i bërë më të lehta imunizimet në komunitete. Po ashtu ajo po përdor qindra miliona dollarë për të rritur interesimin për vaksinat përmes fushatave të ndryshme.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu po harton gjithashtu plane për të nisur vaksinimet në grup moshën 12-15 vjeç. Presidenti Biden po i “sfidon” shtetet për të administruar të paktën një dozë në këtë grupmoshë deri në 4 korrik, me qëllim që sa më shumë adoleshentë të jenë vaksinuar plotësisht deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.
Ndërsa të rinjtë janë në rrezik shumë më të ulët për komplikacione serioze nga COVID-19a, ata përbëjnë tani pjesën më të madhe të rasteve me viruse të reja./VOA