Drejtuesi Politik i Qarkut Durrës, Edi Paloka dhe dy kandidatët Andia Ulliri dhe Aulon Kalaja janë takuar me disa qytetarë në zonën e Fushë Krujës.
Gjatë takimit Paloka theksoi pakënaqësinë që ka krijuar tashmë Rama si kryeministër, gjë që u reflektua dhe në hapjes së fushatës elektorale.
“Nuk ishte i braktisur dhe i vetëm mbrëmë Edi Rama, sepse siç u përpoq ta justifikonte, është nga ata që zbaton rregullat. Dhe ne u kërkuam qytetarëve që hapjen e fushatës ta ndiqnin nëpërmjet mediave, sepse të tilla ishin rregullat. Një pjesë e juaja na kërkuan të vijnë në Tiranë dhe u thamë jo, sepse këto janë rregullat dhe duhet të zbatoheshin, por nuk i ndalje dot qytetarët.
Prandaj u mblodhën, për të treguar se tek Partia Demokratike shohin shpresën. Askush nuk do t’i ndalte as socialistët nëse do e shihnin me shpresë Edi Ramën, por qytetarët kalonin dhe e shihnin me indiferencë, ishin aq pak se i kanë braktisur dhe vetë socialistët. Socialistët e dinë tashmë që me Ramën jo mandat të tretë, por edhe tre orë më shumë janë fatkeqësi për shqiptarët”, deklaroi Paloka.
Gjithashtu Paloka e cilësoi betejën në këto zgjedhje, si një betejë përballë një qeverie e cila nuk u zgjidhi problemet qytetarëve, por u bë problem për ta dhe nuk harroi as të kujtojë atë çfarë ndodhi në qytetin e Durrësit, ku peshkarexhat u larguan në shenjë proteste pasi u njoftuan se për vizitë në portin e peshkimit do të vintë Rama.
“Beteja jonë është me një qeveri që për 8 vite nuk bëri asnjë gjë për shqiptarët, por përkundrazi, u kthye në problemin më të madh të qytetarëve. Ikën të gjithë peshkarexhat nga porti në shenjë proteste dhe e lanë Ramën si peshku pa ujë, u detyrua t’i thotë Gjergj Lucës më sill peshkarexhat nga Shëngjini, që të bënte takimin, e braktisën të gjithë, sepse ka 8 vite që i mashtron, me këtë përballemi me 25 prill”, tha Paloka.
Në fund të takimit Paloka u premtoi banorëve të Fushë Krujës se Partia Demokratike do të punojë që t’u kthejë normalitetin, qetësinë dhe integrimin e Shqipërisë në Europë, ky i fundit proces i ndërprerë nga Rama. Gjithashtu ai i ftoi qytetarët që me datë 25 prill, askush të mos qëndrojë në shtëpi, por të votojë për ndryshim.