Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se pret si qëllim përfundimtar të tij njohjen reciproke.
Palmer në konferencë për media ka thënë se dialogu është rruga e vetme për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“SHBA e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi. Dialogu është rruga për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”,– ka thënë Palmer.
Palmer ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë palë në procesin e dialogut por vetëm partner.
“SHBA nuk është palë në procesion e dialogut por ne jemi partner në këtë proces, jemi të përfshirë në mënyrë aktive duke punuar edhe me Serbinë edhe Kosovës por edhe me ekipin e z.Lajçakut në mbështetje të arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve”, – u shpreh Palmer.
Palmer tha se nuk varet nga SHBA-ja dhe BE-ja për kompromiset e mundshme, por nga palët e përfshirë në dialog. Ai theksoi se SHBA mbështet qëllimin e integrimit evropian edhe euroatlantik të tërë Ballkanit Perëndimor.
Lajçak e Palmer dje kanë takuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Matthew Palmer dhe i dërguari special i BE për dialog, Miroslav Lajcak pas takimeve me zyrtarët e shtetit në Kosovë do të vizitojnë edhe Beogradin.
Këto takime do të zhvillohen para raundit të bisedimeve në Bruksel që do të zhvillohet me 14 ose 15 qershor.