Të plagosurit e ngjarjes së rëndë, që ndodhi mëngjesin e sotëm në Velipojë, ku nëna bashkë me tre fëmijët e saj u dogjën nga shpërthimi i bombolës së gazit, ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Nëna, Alketa Gjoka, 40 vjeç, dhe tre fëmijët e saj; Klarisa Gjoka, 15 vjeç; Danjela Gjoka, 18 vjeç; Enriko Gjoka, 19 vjeç, pas shpërthimit të bombolës së gazit u hodhën në pishinën e hotelit për të përballuar të djegurat në trup.
Pasi morën ndihmën e parë në Spitalin e Shkodrës, të plagosurit u transportuan në spitalin e QSUT-së në Tiranë, në repartin e Djegie Plastikës.
Mësohet se prognoza për të plagosurit është tejet e rëndë dhe janë në rrezik për jetën.
Mjekët thonë se pavarësisht se janë hedhur në pishinë në momentin e parë kjo nuk i ka ndihmuar aspak, pasi uji ka qenë me klor.
“Paraditen e sotme pranë Shërbimit të Djegie Plastikës janë paraqitur pacientët A.Gj mosha 40 vjeç, D. Gj mosha 19 vjeç, K. Gj mosha 15 vjeç dhe E. Gj mosha 11 vjeç. Pas konsultës së parë mjekësore është konstatuar se pacientët kanë djegie të rënda në trup.
Aktualisht janë duke u trajtuar me mjekim intensiv dhe në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor”,-thuhet në njoftimin e QSUT.