Një operacion i madh antik-drogë është realizuar mes Gjermanisë, Spanjës dhe Shqipërisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ndodhet në Madrid, ku po merr pjesë në konferencën e përbashkët, për prezantimin e rezultateve të megaoperacionit të përbashkët të koduar “DOBRA”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.
Sipas Europol, 107 persona u arrestuan gjatë një dite aksioni më 13 korrik që përfshiu autoritetet e zbatimit të ligjit në Spanjë, Gjermani dhe Shqipëri.
Grupi kriminal besohet se po menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë ku ata kultivonin dhe përpunonin marijuanën, para se të transferohej në vendet e tjera evropiane për shpërndarje të mëtejshme.
Gjatë këtij megaoperacioni u kryen kontrolle në 51 ambiente, nga të cilat 23 plantacione/shtëpi bari, u asgjësuan rreth 25.000 bimë narkotike kanabis, u sekuestruan 938 kg boçe kanabisi, një detonator, dy armë zjarri, tri mjete luksoze, një bllokues valësh, 68.760 euro etj.