Ditën e sotme do të rikthehen në shkolla të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12.
Ky ishte vendimi që u dha nga Komiteti Teknik i Ekspertëve një javë më parë.
Nxënësit do të rikthehen në mjediset fizike të shkollave duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministrja Evis Kushi ka bërë me dije se ashtu si në fillim të këtij viti shkollor, do të lihet në fleksibilitetin e shkollave për të hartuar specifikisht grafikun mbi zhvillimin e procesit mësimor sipas skenarit të parë.
“Më në fund, procesi mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12, do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollave çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjitha institucionet tona arsimore janë gati për këtë skenar që në fillim të javës tjetër duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga Ministria e Shëndetësisë“- është shprehur Kushi.