Një ngjarje rëndë ka ndodhur të enjten e 15 Korrikut në Ravenna ku një shqiptar ka humbur jetën. 63-vjeçari Bujar Hysa ka humbur jetën në vendin e punës. Ai është goditur nga një bobinë e madhe që përdorej për disa procese të ndryshme në punë.
Ishin disa punëtorë të tjerë që e gjetën Hysën të plagosur dhe njoftuan ambulancën. Shqiptari u dërgua në spital dhe vdiq rreth 3 orë pas incidentit.
Sipas rindërtimit fillestar të aksidentit, viktima po manovronte një vinç kur është goditur në legen dhe gjoks nga bobina. Hipotezat kryesore që po hetohen janë që gjatë manovrimit Hysa të ketë bërë ndonjë gabim, ose ka ndodhur ndonjë problem mekanik me pajisjen.
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjes dhe po hetojnë për të hedhur dritë mbi aksidentin fatal. Po ashtu po merren në pyetje kolegët e Hysës si edhe po kërkohen kamerat e sigurisë për të shikuar nëse momenti i aksidentit është filmuar.
Pas ngjarjes ka ardhur menjëherë reagimi i sindikatave. Ata shpallën një grevë urie 8 orëshe pas incidentit tragjik.
Për ngjarjen ka folur edhe kryebashkiaku i Ravenna-s, Michele De Pascale.
“Komuniteti ynë e gjen edhe njëherë veten duke vajtuar për vdekjen e një bashkëqytetari tonë nga një aksident tragjik dhe shumë të rëndë në vendin e punës. Këtë tragjedi duhet që ta flasim me zë të lartë sepse është i patolerueshëm dhe jo i pranueshëm”, tha ai.
Hysa jetonte prej vitesh në Ravenna.