Ish-kryeministri Sali Berisha do të ketë sot një komunikim me mediat. Konferenca do të mbahet në orën 18:00 në Hotel Rogner, ndërsa vjen një ditë pas deklaratës së sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken që e shpalli non-grata ish-presidentin dhe ish-kryeministrin bashkë me familjen e tij.
Reagimin e parë lidhur me vendimin Sali Berisha e bëri dje përmes një postimi në rrjetet sociale ku ndërsa i kthen përgjigje z.Antony Blinken, Sekretar i Departamentit të Shtetit, shprehet:
“I kujtoj se gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdolloj tjetër korrupsioni”.
Gjithashtu, ish-kryeministri, theksoi se gjatë viteve në pushtet, por edhe deri tani, familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit, ndërsa thekson më tej se ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër.
Berisha u shpreh se ka qenë i pari që ka denoncuar publikisht projektin e ndryshimit të Kufijve të Kosovës, i “përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar”.