Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi nëpërmjet një video-mesazhi përcolli lajmin e hapjes së thirrjes së gjashtë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Ministrja bën të ditur se aplikimet mund të bëhen nëpërmjet faqes www.praktika.arsimi.gov.al dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 31 Korrik. Kjo thirrje vlen për të gjithë të diplomuarit nga mes moshës 21-26 vjeç.
“Janë 2 mijë vende praktike të profileve të ndryshme, për të cilat u jemi shumë mirënjohës të gjitha institucioneve që i janë bashkuar kësaj thirrjeje, duke filluar nga institucionet qendrore, ato të vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura apo edhe shoqëritë e ndryshme tregtare”, – shprehet Znj. Kushi.
Pas praktikave 3-mujore që do të zhvillohen mes datave 16 gusht – 16 nëntor, të këtij viti, rreth 200 praktikantë që do të kenë performancën më të mirë do t’u jepet mundësia e kontratës 1-vjeçare me institucionin ku kanë zhvilluar praktikën e punës.
“Unë jam me të vërtetë e lumtur që edhe në ministrinë që drejtoj, ka plot të rinj e të reja që kanë përfituar direkt nga thirrjet e kaluara të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Ata sot, i kemi kolegë e bashkëpunëtorë të mirë dhe i vlerësojmë shumë për frymën pozitive dhe dinamizmin që kanë sjellë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë,” – thotë ministrja në këtë video- mesazh.
Përgjatë 5 thirrjeve të shkuara të këtij programi janë 3 mijë të rinj e të reja që kanë realizuar praktikën 3-mujore, nga të cilët, rreth 1 mijë më të mirët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune!