Kryeministri Edi Rama është pyetur sot në lidhje me faktin nëse ka ndonjë mundësi që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut sa i takon hapave për çeljen e negociatave. Në prani të ministrit gjerman për Europën Michael Roth, kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk i takon Shqipërisë të merret me këto çështje, por Këshillit Europian. Mes të tjerash ai tha se Shqipëria e di që procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë, dhe se nuk po kërkojnë që të hyjnë pas 23 qershorit.
“Se çfarë ndodh dhe si ndodh dhe kur ndodh me njohjen dhe afirmimin e punëve të bëra nga ne, kjo nuk është detyra jonë. Kjo është puna e të zotërinjve të asaj shtëpie që janë anëtarët e BE dhe të KiE. Ndaj ndahet, bashkohet, s’bashkohet njëri me tjetrin, apo të tjerët me të tjerët, kjo nuk është çështja jonë, por e KiE. Sepse është shumë e qartë se vendimmarrja në KiE lidhet në këtë situatë me çfarë duan të bëjnë ata dhe jo me çfarë kemi bërë ne, ne do të vazhdojmë të bëjmë pune tonë. Ne jemi de-facto në disa aspekte më përpara se ata që negociojnë por kjo nuk do të thotë asgjë, se ne po bëjmë dëtyerën dhe do e bëjmë. Për mua sfida është se si të rrisim kërkesën ndaj vetes dhe si të bëjmë më shumë për veten. nëse nuk do të vijë dhe do të vonojë, ne do të vazhdojmë që të bëjmë punë. Nuk shoh ndryshim mes këtyre të dyjave, këto janë aspekte të rëndësishme formale. Përmbajtja e procesit s’na e pengon kush që të punojmë. Ne punojmë me partnerët dhe BE dhe miqtë gjerman dhe me të tjerët. Reforma në drejtësi nuk do të ndalojë se u hapën apo nuk u hapën dyert për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Reforma e drejtësisë do vazhdojë. Sfida jonë është se si ta çojmë edhe më larg çdo arritje në këtë punë. E dimë vetë të parët, ky është fillimi i një rruge të gjatë, spo kërkojmë që të futemi në Be. E kanë bërë disa sikur ne do shkojmë në 23 dhe do vëmë vetot tona. Do na e japin, sdo na e japin, është çështje kohe.”, tha ai.