Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video nga Tropoja, ku kandidati për deputet në këtë zonë, Petrit Malaj shprehet se qytetarët duhet të votojnë për PS-në, që edhe Tropoja të ndryshojë.
Në video, kanë komentuar shumë qytetarë, ndërsa kreu i qeverisë iu ka kthyer përgjigje komentuesve. Një prej tyre, shprehet se kryeministri do të marrë në Tropojë humbjen më të thellë ndonjëherë.
Kjo gjë e ka nervozuar kryeministrin, Rama i përgjigjet komentuesit: “Mëso të shkruash shqip të paktën se humbjen dhe fitoren e ndan populli, jo analfabetët funksional me dy gishta përpjetë, që xhirojnë goma rrugëve e bëjnë thirrje për të vrarë njerëz!”.
Një tjetër komentues shkruan se në 30 vjet, në shumë vite, Tropoja është qeverisur nga PS e se Partia Socialiste nuk ka bërë gjë për këtë krahinë.
Edhe këtij komentuesi, kryeministri ka zgjedhur t’i kthejë përgjigje, por shkurt: “Hapi sytë dhe shiko”.