Çelësi ndezjes së motorit politik shqiptarë, këtë shtator ndodhet mbi tavolinën e presidentit Ilir Meta.
Presidenti Ilir Meta i shkarkuar nga parlamenti në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shprehu rezerva për procesin zgjedhor të 25 Prillit.
Atij fillimisht do ti duhet të dekretojë datën e mbledhjes së parlamentit të ri.
Afatet janë të përcaktuara qartë në kushtetutë në nenin 67 ku sanksionohet se kreu shtetit e mbledh kuvendin e porsazgjedhur, jo më parë se data e përfundimit të mandatit të kuvendit paraardhës dhe jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të mandatit të këtij mandate.
Në të tilla kushte kur mandati kësaj legjislature parlamentare, mbaron me datë 8 Shtator 2021, afati mbledhjes së kuvendit nga presidenti janë datat 9 ose 10 shtator 2021.
Por çfarë ndodh nëse Presidenti Meta, nuk do të dekretojë mbledhjen e kuvendit në këto data?
Kushtetuta parashikon vetë-mbledhjen e kuvendit në përfundim të afatit që ka presidenti.
Vetë presidenti Meta ka dhënë sinjale të njohjes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit.
Socialistët që pritet të mbledhin asamblenë kombëtare me 28 ose 31 Gusht, nuk e kanë vendosur ende se kush do të jetë pasardhësi i Gramoz Rucit ish kryetarit të kuvendit. Megjithatë janë tre kandidatura që qarkullojnë në selinë rozë për të drejtuar parlamentin mes tyre një grua.
Ndërkohë pas dy javë pushime në vilën qeveritare në Dhërmi nga ku ka dhënë disa intervista për mediet ndërkombëtare për çështjen e afganëve, ora 9 e kësaj të hëne e gjeti kryeministrin në zyrë.
Brenda PS askush nuk e din përbërjen e ekipit të ri qeverisës duke mbetur sikurse edhe në të shkuarën ekskluzivitet në mendjen e Edi Ramës.
Pritet me interes të shihet nëse kabineti Rama do të dominohet nga ministra me një profil të lartë politik apo do të prevalojnë ministra me karakter teknik.
Edi Rama nuk do të jetë në pozita aspak komode kur të ngjisë shkallët e presidencës për ti kërkuar presidentit të shkarkuar prej shumicës së tij dekretimin e kabinetit të ri qeverisës. /TCH/