Presidenti Meta pret në takim Avokatin e Popullit: Në fokus problemet e pronave të banorëve të Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit

21 janar 2021

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me kërkesën e Tij, priti sot në një takim Avokatin e Popullit, znj.Erinda Ballanca.

Presidenti Meta i bëri me dije Avokates së Popullit peticionin dhe shqetësimet e drejta të ngritura nga banorët e Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit, gjatë takimit të zhvilluar me ta, për shkeljen e të drejtave të tyre themelore në procesin e hartimit të projektit infrakstrukturor “Rehabilitimi dhe ndërtimi i objekteve në afërsi të rrugës bregdetare Vlorë-Orikum” (Rikualifikimi i Vijës Bregdetare Vlorë – Radhimë- Orikum), si dhe trajtimit të pronave të tyre të ndodhura në këtë aks rrugor.

Kreu i Shtetit u njoh nga znj.Ballanca se edhe pranë Avokatit të Popullit janë parashtruar deri më tani mbi 60 ankesa nga banorët lidhur me këtë projekt dhe se ky institucion, ka filluar një hetim administrativ për këtë çështje.

“Shumë shpejt do të bëhet vlerësimi final dhe hartimi i një Raporti Përfundimtar në lidhje me këto problematika, që janë në shqyrtim prej Avokatit të Popullit dhe që banorët i kanë ngritur së fundmi edhe tek Presidenti i Republikës”, – sqaroi znj.Ballanca.

Presidenti Meta e nxiti Avokatin e Popullit të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme, në mënyrë objektive dhe të pavarur, vlerësimin e ankesave të komunitetit lidhur me mosrespektimin e pretenduar të të drejtave dhe lirive themelore, të garantuara nga KEDNJ, Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, gjatë hartimit, miratimit dhe implementimit të projektit infrastrukturor “Vlorë-Orikum”./dosja.al

Author: admin