Në kapjen e 400 kg kokaine në kontejnerin me mish nga Brazili u përfshi edhe DEA amerikane, reagon ambasadorja Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim reagon pas kapjes së 400 kilogramë kokaine në Kosovë që vinte me kontejner nga Brazili.

Në operacion u përfshi edhe DEA amerikane, ndërsa diplomatja Kim thotë se sekuestrimi i drogës ishte si rezultat i një bashkëpunimi mes autoriteteve.

“Kapja e djeshme e 400 kg kokainë është rezultat i bashkëpunimit të fortë midis SHBA, Italisë, Shqipërisë, Kosovës. SPAK & Policia e Shtetit Shqiptar, DEA, luajtën një rol të rëndësishëm në këtë sulm kundër trafikantëve ndërkombëtarë të drogës dhe krimit të organizuar”, shkruan Kim.

OPERACIONI

Përmes metodës speciale të dorëzimit të kontrolluar, prokuroritë dhe policitë e tri vendeve, Itali, Shqipëri dhe Kosovë, janë koordinuar duke mbajtur nën vëzhgim një kamion të nisur nga Brazili, që sipas të dhënave, transportonte pula, por që në fakt ishin zëvendësuar me kokainë.

Në lidhje me finalizimin e këtij operacioni, që çoi në pranga 7 shtetas nga Kosova, por që është ende në vazhdim dhe janë në hetim edhe persona të tjerë, u zhvillua dje një konferencë për shtyp në Kosovë. Prokurori i Shtetit atje, së bashku me Policinë e Kosovë, mbajti një konferencë për mediat lidhur me aksionin e zhvilluar, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin nga Prokurori i Shtetit, Policia e Kosovës, Prokuroria e Posaçme të Republikës së Shqipërisë dhe nga organet përkatëse të Republikës së Italisë.

Author: admin