Qeveria ka marrë vendimin që dita e sotme të shpallet ditë zie kombëtare, pas vdekjes së deputetit dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino.
Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, ku përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar vendimin, duke e shoqëruar me emoji, një zemër të zezë.
Fino humbi jetën ditën e sotme në moshën 58-vjeçare, pasi prej ditësh luftoi me koronavirusin, dhe fatkeqësisht nuk mundi t’ia dilte.
KUSH ISHTE BASHKIM FINO
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997.
Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.
Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.
Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër.
Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.