Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Nënkalimi”.Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal për vrasje, mbajtje të ambienteve për prostitucion dhe prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri dhe municion luftarak. Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:A. P., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;E. Gj., 37 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës. Fillimisht, shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Urës së Dajlanit”, kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin E. Gj. dhe pasagjer shtetasin A. P.
Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Gj. iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.