Mori 100 mijë euro për të liruar të dënuarin, arrestohet 66-vjeçari shkodran, i dënuar me 12 vite burg 21 Mars, 2021 10:08

Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Shkodrës kanë bërë të mundur arrestimin e 66-vjeçarit, Prend Kola.

Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës me 12 vite burg për veprën penale të ‘mashtrimit’.

Prendi në bashkëpunim me Albana Lazen kanë përfituar 100 mijë euro nga familjarët e një të dënuari, duke i premtuar atij lirimin nga burgu të të afërmit të tyre. Ngjarja është shënuar në vitin 2006, ku i pandehuri Prend Kola ka rënë në kontakt me shtetasin N. Gj., vëllai i të cilit ishte arrestuar si i dyshuar për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Sipas gjykatës, Prend Kola i ka garantuar se në këmbim të 100 mijë eurove ai mund t’ia nxirrte nga burgu familjarin e tij brenda 6 muajsh, duke i thënë se kishte një njeriun e tij te Gjykata për Krimet e Rënda.

Gjatë gjykimit, i pandehuri Kola ka mohuar akuzën, duke u shprehur se edhe ai ishte i mashtruar nga Laze. Ai ka deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga shuma prej 100 mijë eurosh. Për të njëjtën ngjarje, në vitin 2011 Laze u dënua me 8 vjet burg, vendim që u la në fuqi edhe në Apel.

Njoftimi:

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit midis Policisë të Tiranës dhe Policisë së Shkodrës, u bë e mundur kapja në Shkodër e 66-vjeçarit të shpallur në kërkim.

Në vijim të veprimeve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ekzekutimi i vendimit të ndalimit për shtetasin Prend Kola., 66 vjeç, i kapur nga shërbimet e Policisë së Shkodrës, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.

Author: admin