Fillimi i muajit prill, mund të sjellë një rritje të lehtë të infektimeve me Covid-19. Për infeksionistin Pëllumb Pipero, kjo vjen si pasojë e grumbullimeve në aktivitetet politike. Megjithatë, kjo rritje nuk pritet të zgjasë, pasi në fund të muajit, pritet që numri i rasteve të pësojë rënie.
“Mendoj që për shkak të ekspozimit në disa aktivitete publike si festa e verës, apo aktivitet politike për shkak të fushatës elektorale, në gjysmën e parë të prillit do kemi rritje të numrave. Fundi i prillit do na gjejë me shumë më pak pacientë në spital”, shprehet ai për ABC News.
Pavarësisht se kemi një ulje të ndjeshme të pacientëve në spitalet Covid, apo edhe urgjencave, të sëmurët atje janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Për Piperon virusi tashmë po paraqitet më agresiv, kryesisht tek moshat e reja.
“Edhe pse intensiteti i pandemisë ka rënë, rastet janë më të rënda. Ndoshta edhe për shkak të një agresiviteti të shtuar të virusit në moshat e reja”, deklaron ai.
Lidhur me masat e vendosura nga komiteti teknik i ekspertëve, duke vlerësuar situatën aktuale mjeku thotë se duhet të ketë një lirim të tyre.
“Nëse vazhdojnë këto shifra, masat nuk kanë arsye të shtohen. Përkundrazi duhet të lirohen”, thotë Pipero.
Pipero mendon se 40% e popullsisë tashmë e kanë kaluar virusin. Nëse edhe ritmi i vaksinimit të popullsisë mbetet i lartë, stina e verës mund të na rikthejë në normalitet