Giglio është një ishull i vogël i Italisë, me afro 800 banorë të cilët janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kur 3 vizitorë mbërritën në këtë ishull dhe dolën pozitivë me Covid-19, frika pushtoi tërë ishullin. Por me kalimin e ditëve, asnjë nga banorët nuk pati asnjë simptomë të Covid-19.
Rasti i parë më koronavirus në këtë ishull ishte një 60-vjeçar, i cili mbërriti më 18 shkurt. Ai kishte ardhur për një varrim dhe kishte përqafuar shumë njerëz, teksa thuhej se kishte pasur kollë tërë kohën.
Më 5 mars, 5 ditë para se të deklarohej mbyllja e Italisë edhe tre vizitorë që erdhën në ishull dolën pozitivë. Njëri nga ta ishte një gjerman nga Italia veriore, epiqendra e pandemisë. Pasi rezultoi pozitiv, vizitori gjerman u izolua në ishull.
Asnjë rast tjetër nuk është shfaqur pozitiv në këtë ishull, edhe pse që nga lirimi i masave kufizuese shumë turistë nga pjesët tjera të Italisë kanë filluar ta frekuentojnë këtë vend. Ende nuk është e qartë se çfarë ndodhi që virusi nuk u përhap. Si rrjedhojë, kanë lindur një sërë teorish. Njëra është se ishte punë fati dhe të sëmurit nuk e kishin përhapur virusin aq shumë.
Tjetra është pak më ekzotike, dhe ka të bëjë me gjenet e kësaj popullate. Shumë banorë të këtij ishulli me gjenerata martohen në mes vete. Për këtë, shkencëtarët duan të bëjnë një studim gjenetik për të parë nëse ka diçka në gjenet e tyre që i shpëtoi. Atributet po iu jepen edhe kushteve të mira klimatike dhe natyrës së pasur, e cila mund të ketë shpëtuar banorët nga Covid-19.