Meta: Zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme jo për katër, por për 100 vitet e ardhshme!

Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të dalin në votimet parlamentare të 25 Prillit dhe të votojnë për forcat politike që dëshirojnë, por njëkohësisht të dënojnë edhe partitë që e meritojnë.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Kreu i Shtetit tha se zgjedhjet e 25 prillit janë të rëndësishme për 100 vitet e ardhshme, sikurse tha ai, “për të rikthyer kredencialet demokratike të vendit”.

“Në këtë garë ka shumë koalicione dhe shumë forca politike. Është e rëndësishme që qytetarët të vendosin me qetësi se kë do zgjedhin, por edhe kë do ndëshkojnë. Është e drejtë e tyre të gjykojnë me qetësi. Për mua është e rëndësishme që procesi të jetë transparent. Do të informojmë edhe më tej opinionin publik që përfshihen tek krimi zgjedhor, kështu që s’do të ketë asnjë tolerim. Do të bëj më çdo gjë për të patur zgjedhje demokratike të ndershme. Zgjedhjet e 25 Prillit janë të rëndësishme jo për 4 vite, por për 100 vitet që vijnë që Shqipëri të rifitojë kredencialet demokratike dhe të arrijmë vendet e tjera që kanë qenë pas nesh dhe na kanë parakaluar dhe kjo do të jetë sfida më e madhe për të gjithë ne. Të mos paragjykojmë rezultet e zgjedhjeve. Mund të ketë çdolloj surprize”.

I pyetur si i komenton kandidatët e fundit për deputetë të Partisë Socialiste, si Najada Çomo dhe Luljeta Bozo, Meta deklaroi se është e rëndësishme që në listat e kandidatëve të ketë figura me integritet.

“Këto nuk janë në interesin tim. Por në interesin tim si President me qëllim rritjen e besimit të përfaqësuesit të publikut, është e rëndësishme që të jenë figura me sa më shumë integritet. Qytetarët të shikojnë me vëmendje listat e çdo force politike dhe të votojnë në ato lista për kandidatin që besojnë se ka integritetin më të lartë në mënyrë që t’u japn mesazh të qartë kryetarëve dhe forcave politike se cilët janë deputetët që vërtetë ata duan dhe dëshirojnë t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë”,- tha Kreu i Shtetit.

Author: admin