Presidenti Ilir Meta vlerësoi dy sportistë të shquar të arteve marciale, të cilët me rezultatet e tyre të larta dhe profesionalizmin kanë spikatur në disiplina të ndryshme sportive si Kick Box dhe Thai Box në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Besford Dorezi “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar në sportin e Judos.
Sportist kampion, me rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” Meta dekoroi zotin Arbis Vjerdha “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të Kick-Boxit dhe Thai Boxit.
Sportist kampion me rezultate shumë të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, në prani të familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të sportit, Kreu i Shtetit shprehu vlerësime për kontributin e tyre në këtë sport.
“Është kënaqësi, që në vazhdimësi të nderojmë personalitete të sportit, që kanë ngritur lart vlerat dhe imazhin e kombit tonë, si dy sportistët dhe kampionët e spikatur, nga dy sporte të rinj të Artit Luftarak, Kick Box e Thai Boxing dhe Judo.
Sportet luftarake, që shpesh quhen ‘Arte marciale’, kanë kaluar në procesin e modifikimit, fisnikërimit dhe humanizimit dhe janë vënë në kornizat e frymës dhe të parimeve sportive. Besford Dorezi është ndër të parët ushtrues të sportit të Judos. Ai ka konkurruar me ekipin e klubit sportiv “Dinamo”, si dhe me shoqatat sportive “Don Bosko” dhe ‘Albania Sport’. Aktualisht ai vazhdon të konkurrojë me klubin sportiv “Studenti”.
Besford Dorezi është kampion absolut në të gjitha moshat për vite me rradhë, duke fituar shumë tituj kampion kombëtarë, por edhe të Republikës. Po kështu ai është anëtar i ekipit kombëtar të Judos dhe ka marrë pjesë në gara të rëndësishme ndërkombëtare.
Arbis Vjerdha është një nga sportistët më të talentuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe masivizimin e sportit të Kick Box-it dhe Thai Boxing në Shqipëri.
Rezultatet e tij janë shembullore në këtë sport, duke arritur nivelet më të larta, si Kampion Bote, Kampion Europe, Kampion në Lojrat Mesdhetare dhe fitues i shumë trofeve prestigjoze.
Arbis Vjerdha ka ngritur flamurin kombëtar për 20 vite dhe ka përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me pasionin, përkushtimin dhe talentin e tyre, ata u bënë kampionë të shkëlqyer, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e klubeve të tyre, por dhe flamurin kombëtar.
Me rezultatet e tyre të merituara ata janë bërë një shembull frymëzimi në masivizimin e këtyre sporteve, sidomos tek të rinjtë e të rejat. Kick Boxing dhe Judo janë disiplina sportive të vështira, por në themelin e tyre janë sporte, që ndikojnë në zhvillimin e trupit dhe shpirtit, u mësojnë të rinjve shumë cilësi pozitive të nevojshme, si disiplinën, forcën, këmbënguljen, respektin dhe ndershmërinë.
Këto sporte në vendin tonë, janë të kërkuara nga rinia, prandaj është detyrë e Federatave dhe shoqatave të këtyre sporteve, të punojnë pa u lodhur për promovimin e vlerave të tyre dhe të jenë të angazhuar, për t’i dhuruar sportdashësve, gara të ndershme e rezultate sa më të larta.
Ndërkohë është edhe detyra jonë, e institucioneve shtetërore dhe të qeverisë për t’i mbështur sa më shumë.Tpz.al
Dëshiroj me zemër që këto sporte të kenë mbështetje në të gjitha mjediset, të ketë solidaritet, të ketë korrektësi dhe respekt. Faleminderit dhe suksese në të ardhmen, njëkohësisht edhe këtyre sporteve sa më shumë kampion, nën shembullin frymëzues të Arbisit dhe të Besfordit. Faleminderit!”, tha Meta