Gjatë një vizite gjatë ditës së sotme në Vlorë, Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se më 25 prill do ketë pjesëmarrje historike në votime.
Duke komentuar akuzat e Ramës, presidenti Meta deklaroi se kushdo që do t’i demoralizojë shqiptarët për të mos votuar, të lidhë kokën me peshqir, pasi Shqipëria do ngrihet më këmbë.
‘Shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota’, theksoi Meta.
“Me pasaporta, me karta, me shpata shqiptarët do shkojnë të votojnë më 25 prill, kjo histori ka përfunduar. Kushdo që do t’i demoralizojë, të lidhë kokën me peshqir. Pjesëmarrja do jetë historike. Shqipëria do ngrihet më këmbë. Shqiptarët e kanë kuptuar se fuqia e tyre është vota. Vota është e drejta e pronës, e drejta për punë, e drejta për të përballuar një jetë me dinjitet, për t’u përfshirë nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Çdo përpjekje për të demoralizuar shqiptarët është e dështuar. Të gjithë të shkojnë dhe të votojnë për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për dinjitetin e tyre, kundër shpopullimit të Shqipërisë. Është një dramë e madhe. Në Shqipëri nuk kemi largim, kemi shpopullim.
Duhet t’i krijojmë të gjithë mundësinë që jo vetëm të lindin në Vlorë dhe të jenë krenarë por edhe të kenë një të ardhme të mrekullueshme”, deklaroi Meta.
Gjithashtu presidenti u shpreh se ai është armik i oligarkisë dhe se nuk ndihet i kërcënuar që të vijë fshehtas në Vlorë, pasi nuk i ka marrë ndonjë copë tokë kujt.
“Mua më pëlqen të flas me fakte dhe jo shumë. Shikoni fotografinë dhe lajmin e gazetës Tema që është shpërndarë nga ky oligarku.
Sa herë jemi takuar ne bashkë, kemi bërë dhe konferenca shtypi. Pse përpiqen këta të krijojnë një mashtrim publik që presidenti lëvizka natën dhe fshehurazi. Nga kush ka frikë presidenti, ka ardhur dhe ka marrë ndonjë copë tokë. E dini sa drejtor hipotekash janë ndërruar në Vlorë. Unë i kam ndërruar. Kush i ka ndërruar? Hajde shkojmë në Dhërmi gjithë rrugën se çdo dëgjoni nga pronarët e ligjshëm për ato padrejtësi dhe dëme të jashtëzakonshme që iu janë bërë për arsye nga më të ndryshmet. Presidenti është i keq se mbron pronën e qytetarët, se nuk mban anën e oligarkëve, për 98% mortalitet tek intubimi, kur në vende të tjera është 30%. Ne tani e kemi të qartë që presidenti është një armik i oligarkisë dhe presidenti i Republikës është shumë i lumtur që është armik i oligarkisë”, theksoi Meta. Tpz.al