
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bëri sot homazhe në nder të Komandantit të Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme për shkak të COVID-19.
Gjatë homazheve të zhvilluara në Ministrinë e Mbrojtjes, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të pajetë, u shprehu personalisht ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe la një shënim në Librin e Zisë të hapur me këtë rast të dhembshëm.
Duke i dorëzuar bashkëshortes së Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”,
Presidenti Meta theksoi edhe njëherë se ndarja nga jeta e njërit prej kuadrove më të spikatur të Forcave tona të Armatosura, këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, intelektuali të shquar e modeli të rrallë qytetarie, është një humbje e madhe për familjen e Tij dhe ushtrinë shqiptare.
Nuk mund të mos t’i jepja sot lamtumirën e fundit, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku, një personalitet i jashtëzakonshëm, ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, i cili gjithmonë spikati për integritetin dhe vlerat e larta njerëzore e profesionale në shërbim të ushtrisë shqiptare, si dhe për humanizmin e dëshmuar ndaj qytetarëve në nevojë, cilësi që i shfaqi edhe gjatë përballimit të situatave të vështira të përmbytjeve dhe tërmetit.
Kam pasur fatin t’i njoh nga afër aftësitë e Tij drejtuese dhe organizative për mbi tre dekada angazhim në Forcat e Armatosura, së fundmi edhe në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Komandës Mbështetëse.
I paharruar kujtimi dhe vepra e çmuar e Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakut! 🇦🇱



