Sot konstituohet Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Pas gati dy vitesh, PD e LSI pritet që të rikthehen në Kuvend. Më herët, seancat janë lajmëruar se do të mbahen në orën 10:00 paradite dhe seanca tjetra pasdite në orën 17:00, ndërsa pritet që të bëhet betimi i 140 ligjvënësve të rinj. Pritet betimi i deputetëve të rinj dhe votimi për Kryetarin e ri të Kuvendit. Kështu, një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë, pritet që të shqyrtojë dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda dy ditëve, i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin.
E përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Kuvendin në këtë legjislaturë, është Lindita Nikolla. Berisha, deputeti më aktiv, themeluesi i PD nuk do të jetë më në radhët e saj. Duket se pas presionit amerikan, Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar.
Vendimi erdhi, pasi Berisha u shpall “non grata” nga SHBA, nën akuzën e “korrupsionit madhor”. Opozita hyn në Kuvend pas një përplasje të fortë që u zyrtarizua dje në Partinë Demokratike, ku Lulzim Basha përjashtoi liderin historik Sali Berisha deri në përfundimin e procesit të tij gjyqësor përballë SHBA. Ky vendim ka sjellë një përçarje në PD, ku grupi parlamentar heziton të shprehet zyrtarisht për vendimin, ndërsa 5 deputetë demokratë kanë dalë hapur në krah të ish-kryeministrit.
Berisha ka insistuar se do të jetë sot në Kuvend, por ngelet për tu parë se kush do e shoqërojë tashmë që është i vetëm dhe pa grup parlamentar.