Mijëra familje po vuajnë nga Covid-19, i cili ka shkaktuar deri më sot së paku 1681 të vdekur, por edhe nga shpenzimet e konsiderueshme të lidhura me blerjen e pajimeve farmaceutike apo për kryerjen e analizave.
Një raport i realizuar mbi intervistat e dhjetëra familjeve të personave të prekur nga sëmundja, i realizuar nga shoqata “Together for Life”, zbulon se kostot e mëdha të lidhura me kurimin rëndojnë buxhetet e një pjese të madhe të familjeve.
Sipas raportit, rimbursimi i ofruar nga qeveria nuk ka qenë kurrë i mjaftueshëm, ndërsa kosto më e lartë për familjet ka të bëjë me analizat e shumta që kërkon sëmundja, analiza që kryhen të privati.
“Trajtimi në shtëpi, duke blerë barnat dhe çdo nevojë tjetër si puls-oksimetër, oksigjeno-terapi, e të tjera, po u kushton pacientëve dhe familjeve shqiptare pothuajse të ardhurat mujore vetëm të një jave për një pacient, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare”, thuhet ndër të tjera në raport.
E ftuar në “Wake Up”, përfaqësuesja e “Together for Life”, Arlinda Shehu tregoi edhe sa kushton trajtimi i Covid në shtëpi.
“Mungesa e besimit në sistem është shumë e madhe. Po deklarohet përditë që spitalet nuk kanë hapësirë për të mbajtur njerëzit. Javën e kaluar para infektivit ishin 10 ambulanca që prisnin në radhë dhe njerëzit ishin duke u trajtuar.
Njerëzit kanë frikë të shkojnë atje, Të gjithë po marrin bombola oksigjeni në shtëpi, infermierë, mjekë. Në këtë lloj forme, kostot e mjekimit shkojnë 40 mijë lekë, kostot e ekzaminimeve te 40 mijë lekë të tjera. Minimumi një 80 mijë lekësh për t’u trajtuar”, tha ajo.
Ajo tha se pacientët me Covid trajtohen edhe në spitalet private, por kostoja është shumë e lartë.
“Edhe privati e ofron trajtimin e Covid, por e ofron me kosto që fillojnë nga 1 mijë euro e lart nata. Me këto kosto që janë, se dimë si mund ta përballojmë. Gjithë bota do ta ndjejë këtë krizë”, theksoi ajo.
Ndërkohë që kujtojmë se rimbursimi i qeverisë Rama, për qytetarët, vetëm pasi të jenë konfirmuar pozitiv me Covid është 16 mijë lekë të vjetra, të cilat duket të tingëllojnë më shumë se qesharake, kur sheh se shpenzimet Covid kapin vlerën e disa mijërave euro.