Kreu i PD-së Lulzim Basha ka ndarë me qytetarët, mbresat pas takimit me një ccift të sapomartuarish në Tiranë, të cilët jetonin në një shtëpi me qira. Basha iu ka folur për planin e PD, i cili ofron mbështetje për familjet e reja dhe punësim për të rinjtë.
Kreu i PD thekson se me këtë plan fitojnë shqiptarët, fiton Shqipëria.
“U ndala sot tek shtëpia e Mikelit dhe Xhesikës, këtij çifti të ri që ka nisur rrugëtimin e mbarë të familjes në qytetin e Tiranës. Të gjitha sfidat e një familjeje të re shqiptare mund t’i gjesh tek këta dy të rinj. 8 vite të Edi Ramës në pushtet nuk u kanë ofruar asgjë familjeve të reja por vetëm ua kanë bërë më të vështirë jetën. Qeveria e rriti çmimin e energjisë dhe ujit në mënyrë të pabesë dhe të panevojshme. Premtoi të ulte çmimet e ushqimeve por ato janë rritur 40%.
Ndava me ta disa nga angazhimet kryesore të programit tonë ekonomik: pagesën 30 mijë lekë/muaj për çdo fëmijë nga lindja deri në moshën 5 vjeç, mbulimin e plotë të interesave të kredisë për strehim për 5 mijë çifte të reja çdo vit, shkollë përgjatë gjithë ditës për fëmijët”, shkruan Basha.
Kreu i PD deklaron se për të gjithë të rinjtë shqiptarë sfida e parë që ndeshin në një ekonomi të gangrenizuar nga monopolet është punësimi.
“U shpjegova Mikelit dhe Xhesikës se si programi i Partisë Demokratike nxit krijimin e 110 mijë vendeve të reja të punës, tërheq investimet e huaja dhe rrit pagat në treg. Duke u lënë më shumë para në xhepat e tyre shqiptarëve, ne do të krijojmë një ekonomi më dinamike dhe rritje më të shpejtë. Këto nuk janë premtime, por zotimet tona që do të bëhen realitet.
Është frymëzuese dëshira për ndryshim që kanë sot të rinjtë shqiptarë. Ata e kanë kuptuar më shumë se kushdo tjetër se më 25 prill nuk do të votojnë ndërmjet dy partive, por ndërmjet Shqipërisë dhe Edi Ramës. Më programin tonë fiton Shqipëria, fiton ekonomia, fiton punësimi. Më 25 prill Shqipëria do të fitojë dhe Edi Rama do të humbasë”, shprehet Basha.