Një masakër ka ndodhur në Velipojë, në mes të sezonit turistik, ku për shkak të një konflikti për shezllonët dhe zonën e plazhit, kanë mbetur të vrarë katër persona dhe janë plagosur dy të tjerë.
Viktimat janë Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myzerim Zeneli. Nderkohë të plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmilind Dyli.
Në vendngjarje kanë qenë forca të shumta policie dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, teksa specialistë të kriminalistikës kanë kryer veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes.
Pas masakrës, drejtori i policisë së Shkodrës Niko Brahimaj ka mbërritur në vendngjarje dhe ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai tha se vrasja ka ardhur pas një konflikti për hapësirat në plazh, teksa konfirmoi se është qëlluar me më shumë se një armë.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj,ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shzloneve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup eskpertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë.
Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë.
Shumë shpejt do ketë persona të shpallur në kërkim dhe të arrestuar”, deklaroi Brahimaj.
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.
Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.