Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbajtur fjalën e tij në hapjen e fushatës elektorale të kësaj partie.
Basha foli përpara simpatizantëve të PD-së, të mbledhur në Sheshin Nënë Tereza.
Ai deklaroi se në 25 prill Shqipëria do të ndahet nga “një kastë” dhe do t’i hapet rruga Shqipërisë europiane.
“Vetëm 31 ditë për të nisur sëbashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, të zhvillimit të mirëqenies dhe integrimin në familjen europiane.
Jam mes jush, sepse ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm. Ti japim fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re, të historisë modern dhe europiane të Shqipërisë.
U bë më shumë se një vit që filluam këtë rrugëtim për të ndryshuar vendin tonë. Është rrugëtim i vështirë që ne e kryejmë me përgjegjësi, por me gëzim të brendshëm, sepse jemi të vetëdijshëm që puna jonë është një sakrificë për vendin, për shqiptarët, për kombin.
Po shkulim dhe çrrënjosim nga damarët e tokës tokë, një kastë, një të keqe që ka vendosur të shterrojë nga vendi jonë burimet që Zoti i ka falur.
Ata nuk na qeverisin por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre, që po rrëmbejnë gjithçka që ky vend ka, pasuritë tuaja, pasuritë e kombit.
Kam ndjerë etjen për ndryshim. Kam prekur shpresën, kam marrë përqafimet e ngrohta nga jugu në veri. Kam folur dhe kam shpjeguar se gjërat mund të shkojnë më ndryshe dhe më mirë. Kam njoftuar në cdo derë dhe familje shqiptare, se ndryshimi po vjen, ndryshimin do ta sjellim, Shqipëria do të ndryshojë”, tha ndër të tjera Basha.