Nga John Kampfner
“The New European”
Thikat po mprihen. Bota po mban frymën pezull. Ndërsa gjermanët shkojnë në votime më 26 shtator, për zgjedhjet e para parlamentare në një brez pa Angela Merkelin, ata po pyesin me një shqetësim në rritje se si do jetë e ardhmja pa gruan që personifikoi shpresat dhe frikën e tyre.
Ata e panë emergjencën e ndryshimeve të klimës tek përmbytjet apokaliptike të verës që sapo kaloi; ata kanë frikë nga një sërë krizash shëndetësore, ndaj dëshirojnë liderë kompetentë. Ata po shohin shpërbërjen e modelit amerikan të pasluftës, në një kohë që autoritarizmi i Kinës dhe problemet e shkaktuara nga Rusia, po ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Kush do t’i mbrojë tani? Më pesimistët pyesin se çfarë ka ndodhur me vendin e Konrad Adenauer, Helmut Kohl, Willy Brandt dhe Helmut Schmidt? Fushata elektorale aktuale, ka qenë një fushatë energjike dhe çuditërisht intriguese. Por ajo e ka zbehur optimizmin e gjermanëve, pasi asnjë nga kandidatët aktualë për të pasuar Merkel, nuk ka atë që duhet.
Ajo ka treguar nevojën që ka Gjermania për t’u“shkundur”, pas një dekadë e gjysmë jetesë nën një “batanije të rehatshme”. Në aspektin emocional, sa më shumë votues që të shohin tek e ardhmja e afërt, aq më shumë do të humbasin ata nga e shkuara e afërt.
Edhe përkrahësit më të fortë të Merkel, e dinin që koha e saj kishte mbaruar me kohë. Ajo donte të tërhiqej që para zgjedhjeve të vitit 2017, por u bind në fund të qëndronte nga shumë njerëz, përfshirë vetë ish-presidentin amerikan Barack Obama, që e mendonte si një mburojë kundër Donald Trump dhe valës populiste.
Shumë shpejt Merkel do ta lërë detyrën e kancelarës, teksa po ngrihen shumë pyetje nga ata që janë përreth saj:Si ka mundësi që një parti politike, e cila e ka dominuar skenën politike gjermane për një kohë kaq gjatë, të rrëzohet kaq shpejt?
Përgjigja e qartë është se Kristiandemokratët gjermanë zgjodhën si pasues Armin Laschet, një njeri që ka simpatinë e Boris Johnson, por që është pa karizëm. CDU-ja ka rënë aktualisht në nivelin më të ulët historik të mbështetjes, vetëm 20 për qind.
Tallja me kandidaturën e Laschet, udhëheqësin e landit më të populluar gjerman, North Rhine Westphalia, është vetëm një pjesë e historisë. CDU-ja ka prej kohësh jo pak probleme, të cilat janë lënë disi në hije nga popullariteti i qëndrueshëm i Merkel.
Ashtu si Tony Blair në Britani, por në një kontekst të ndryshëm, ajo arriti fitore të përsëritura zgjedhore, duke tërhequr pas vetes zgjedhësit e qendrës, dhe duke hedhur poshtë vlerat thelbësore të partisë së saj. Dhe në këtë mënyrë, Merkel mund të ketë mbjellë farat për një periudhë të gjatë krize dhe destabiliteti për pasardhësit e saj.
Sondazhet në Gjermani janë përgjithësisht të besueshme. Por një ndryshim sado i vogël në përqindje, mund të bëjë diferencën jo vetëm në rezultatin e zgjedhjeve, por edhe në peshën elektorale relative të partive në negociatat për formimin e koalicionit të ri qeverisës.
Thuhet se një javë nga dita e votimit, ka ende shumë votues gjermanë që janë të pavendosur. Socialdemokratët, që vetëm muaj më parë cilësoheshin si një relike e skenës politike, kanë konsoliduar tashmë një epërsi të ndjeshme. Njeriu i momentit është Olaf Scholz, një figurë deri diku modeste, që në postin e Ministrit të Financave në koalicionin e madh në largim të Merkel, ishte i lumtur të mbikëqyrte buxhetet e ngurta, që mbeten sinonim i përgjegjshmërisë financiare gjermane.
Kjo qasje vijoi derisa u shfaq Covid-19, kur si Merkel ashtu edhe ai e ndryshuan kursin dhe ranë dakord për një paketë të madhe financiare ndihme ndaj gjithë vendeve të BE-së. Tani në dëshpërim e sipër, CDU-ja po përpiqet që ta portretizojë kandidatin e SPD-së si një socialist të rrezikshëm,që është gati ta zhbëjë suksesin ekonomik të Gjermanisë, duke rënë dakord të hyjë edhe në një koalicion me Die Linke, partinë e ekstremit të majtë.
Në atë që mund të jetë paraqitja e saj e fundit parlamentare, edhe Merkel paralajmëroi mbi rreziqet e një qeverie të udhëhequr nga Scholz, një ndërhyrje kjo jo shumë tipike e saj, duke qenë se në përgjithësi e ka shfaqur hapur përbuzjen e saj për fushatën elektorale, duke zgjedhur të qëndrojë mbi sherret midis kandidatëve që do ta pasojnë në detyrë.
Scholz ka refuzuar që të përjashtojë negociatat me të majtën ekstreme, pasi ai dëshiron që të mbajë të hapura të gjitha opsionet e tij. Shanset janë tani për një koalicion të “semaforit Të Kuq, të Gjelbër, dhe të Verdhë”, pra midis SPD, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) që janë pro-biznesit.
Është ende i mundur edhe një koalicion midis CDU-së, të Gjelbërve dhe FDP. Një numër kombinimesh janë provuar në qeveritë rajonale, duke shërbyer si prototipe. Megjithatë, kurrë më parë, tre partive nuk u është kërkuar të punojnë së bashku në nivel kombëtar. Në çdo rast, problemi i Scholz nuk është dhe aq zelli revolucionar, sa sa e kundërta.
Ai premton të mos bëjë asnjë ulje të taksave për të pasurit (askush tjetër nuk e ka premtuar diçka të tillë), pensione të qëndrueshme (ato janë tashmë shumë bujare), më shumë strehim social (të gjitha partitë po e thonë këtë), dhe një ekonomi neutrale ndaj karbonit (e lehtë të thuhet, por asnjë parti, madje as të Gjelbrit, nuk ia kanë dalë të fitojnë ndaj lobit të fuqishëm të industrisë së makinave).
Premtimi i vetëm radikal nga distanca është një rritje e pagës minimale në 12 euro në orë. Stili i fushatës së Scholz krahasohet me “katenaçio”, një stil i futbollit italian të viteve 1970, në të cilën njëra skuadër e pengonte ekipin kundërshtar të luante, duke vendosur 11 lojtarë para portës.
Ajo për të cilën nuk i pëlqen të flasë, është rekordi i tij si kryebashkiak i Hamburgut, kur samit i G20-ës në vitin 2017 u la në hije nga trazirat dhe skandali “Wirecard”. SPD, ende e habitur nga rritja e saj në sondazhe (në mbi 25 për qind), është tani tërheqëse për të gjithë ata që duan më shumë Merkelizëm.
Aq madhe është frika nga ndryshimi, saqë edhe partia e opozitës po përpiqet të jetë njësoj si ajo. Slogani i tyre i fundit i fushatës “Scholz packt das an” (Scholz do ta zgjidhë atë), të kujton frazën e famshme të Merkel “Wir schaffen das” (Ne mund ta bëjmë këtë) në kulmin e krizës së refugjatëve.
Në 2 nga 3 debatet e para televizive, Scholz tha pak gjëra për t’u mbajtur shënim. Laschet lëshoi akuza të përsëritura ndaj tij, duke u fokusuar në korrupsionin financiar dhe tendencat e tij majtiste. Nga ana e saj Annalena Baerbock, kandidatja e të Gjelbërve, i akuzoi të dyja partitë e mëdha, se kanë dështuar në angazhimet e tyre kundër ndryshimit të klimës.
Debati pasues ishte e jashtëzakonshëm, më shumë për pyetjet që nuk iu bënë kandidatëve. Nuk pati asnjë pyetje mbi qëndrimin që do të ketë Berlini në të ardhmen mbi Rusinë apo Kinën, dhe shumë pak pyetje mbi Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Evropa dhe bota më e gjerë demokratike po kërkojnë një udhëheqje më të fortë, Gjermania duket se po mbyllet në vetvete, dhe po i shmanget akoma më shumë përgjegjësive të saj.
Për presidentin francez Macron, perspektiva e një Gjermanie më pak aktive në BE është sa një mundësi po aq edhe një rrezik. Nën Angela Merkel, vendi dukej se më në fund po e hiqte veten nga etiketa e vjetër e një vendi gjigant në ekonomi, por ”xhuxh” në politike. Po tani çfarë do të ndodhë?