Anisa Gjini është 24-vjeçarja e cila dyshohet se u vetëhodh nga ballkoni i banesës ku jetonte dhe ndërroi jetë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Durrës.
Policia tha në një njoftim për mediat se ka vënë në pranga bashkëshortin e saj, Alfred Gjini. Nuk dihet ende se për çfarë akuzohet bashkëshorti i viktikës, por policia tha se çifti ishte konfliktuar me njëri-tjetrin para se e reja të ndërmerrte aktin fatal.
Sipas fqinjëve të tyre, çifti kanë një fëmijë të vogël djalë, i cili tani mbeti jetim pa nënë.
Ndërkohë mësohet se viktima punonte në një fabrikë këpucësh, kurse bashkëshorti i saj në ndërtim.
Fqinjët thanë se i njihnin ata si një familje pa probleme dhe ngrenë supet kur pyeten se cili mund të jetë shkaku që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë.
“Unë isha në gjumë e dëgjoi burri e më tha. Kur erdha e kishte çuar burri i vet te spitali e nuk e pamë më me sy. Nuk i kam dëgjuar ndonjëherë me zënie me thënë të drejtën, ai punon në ndërtim, ajo te fabrika e këpucëve. Një çun të vogël kanë. Sot ato e dinë vet zemrat e veta e ne nuk dimë gjë. I kena pa gjithmonë mirë. Kam qenë në një dasmë bashkë me atë, i kam pa shumë mirë, nuk e di. Në punë ka qenë ajo, ka qenë në fabrikë këpucësh në Shkozet, shkonte çdo ditë. Ato janë nga Gramshi”, tha një fqinje.
“Unë isha në shtëpinë time, kur më erdhi haberi mu kishte mbaruar çdo gjë. Aq mirë kanë shkuar sa nuk bën vaki. Kanë një fëmijë, punonin të dy“, tha fqinja tjetër.