Nga Bashkim Shala
Ndryshe nga vitet e tjera, menuja e një feste familjare në korrik në restorantin ‘Rilindja’ në Valbonë përmbante sallatë me rukola, troftë të përgatitur me avull si dhe pasta të freskëta të mbushura me arra e krem djathi – të gjitha gatime që nuk lidhen ngushtë me traditën kulinare të Alpeve.
Pas recetave dhe shijeve të reja në menunë e restorantit në luginën mes Bjeshkëve të Namuna qëndron Kliti Çuko, një shef i ri kuzhine i lindur në Berat dhe i rritur në Fier. Përpara se të mbërrinte në Valbonë, Çuka ka punuar brenda dhe jashtë vendit, përfshirë rezidencën ‘Vala Mar’ në gjirin e Lalzit, në një restorant në portin gjerman të Hamburgut dhe në një hotel me 5 yje në Kalabri.
Prej katër muajsh, ai është zhvendosur së bashku me bashkëshorten në zemrën e Alpeve shqiptare në Valbonë si shef i restorantit ‘Rilindja”.
“Më pelqeu ideja dhe projekti i pronarit, për të çuar në këtë zonë nivelin e shërbimit akoma më lart, ndaj vendosa të vija,” shpjegoi ai.
Çuko thotë se në Valbonë, si shef kuzhine ka bërë një përzierje të recetave tradicionale dhe produkteve të zonës me modernen.
“Peshkun troftë tashmë e servirim me avull, fileto shoqëruar me salca të ndryshme, por asnjëherë nuk kemi shmangur pjesën tradicionale, që është furra me dru dhe zgara,” shpjegoi ai.
Çuko nuk është i vetëm. Me përjashtim të një djali nga Dragobia, i gjithë personeli i kompleksit ‘Rilindja’ është nga Tirana, Durrësi dhe Shqipëria e Jugut, reflektim i lëvizjeve të mëdha demografike, por edhe i nevojës për t’i shërbyer një klientele të huaj me kuzhinë ndërkombëtare.
“Kuzhina jonë tradicionale është e rëndë dhe kjo nga të huajt refuzohet në disa raste dhe ka kërkesa për menu të re,” shpjegon Alfred Selimaj, pronari i kompleksit Rilindja.
“Këta turistë janë të akomoduar edhe diku tjetër dhe për të ngrënë vijnë te unë, ndaj e kisha si domosdoshmëri të merrja personel të kualifikuar,” shtoi ai.
Por rekrutimi i personelit të kualifikuar dhe punësimi i tyre sezonal në sektorin e turzimit në Alpe nuk është pa kosto për pronarët e hoteleve dhe bujtinave. Selimaj ankohet që qeveria bën shumë pak për t’i mbështetur këto sipërmarrje, të cilat janë dëmtuar nga pandemia e COVID-19.
“Kemi dy vite që po mbijetojmë,” shprehet Selimaj, i cili thekson se ka 7 të punësuar të kualifikuar. “Deri tani punojmë vetëm për të mbajtur lokalet hapur, me shpresë tek e ardhmja,” theksoi ai, duke i bërë thirrje qeverisë që ta subvencionojë punësimin në këtë sektor.
Mungesa e ujit të pijshëm, e energjisë elektrike, sistemimi i ujërave të zeza, mungesa e internetit, e shërbimit tregtar përmes marketeve, rregulli i pa vendosur për autokampingjet, mungesa e personelit të lartë mjekësor dhe personelit të shërbimit, si dhe mungesa e ekipeve të kërkim-shpëtimit janë disa nga sfidat me të cilat po përballet sektori i turizmi në Valbonë.
Mirash Lamthi, pronar i hotelit alpin “Fusha e Gjësë” në afërsi të Rogamit të Shalës, shprehet se mbijetesa e këtij sektori jetësor të ekonomisë gjatë pandemisë është ndihmuar nga turistët nga Kosova.
“Tani pas hapjes kemi më pak, pasi një pjesë e frekuentuesve të Valbonës po shkojnë edhe në Mal të Zi,” shpjegoi ai.
Për Arjan Shiqerukajn nga Bujani i Tropojës, i cili ka investuar 100 mijë USD me vëllezërit për të ndëruar katër bujtina në Valbonë, viti që lamë pas ka qenë i vështirë.
“Unë kam vetëm akomodime familjare, ndërsa ushqimi merret me vehte,” tha ai, ndërsa shtoi se gjatë pandemisë kanë qenë të mbyllur.
Shiqerukaj paraqet një mal me ankesa, që sipas tij ia kanë vështirësuar zhvillimin e aktivitetit në Valbonë.
Ai thekson se uji i pijshëm nuk vjen rregullisht, pasi ujësjellësi nuk i përballon dot objektet e reja që po shtohen çdo ditë. Energjia elektrike përbën gjithashtu një tjetër sfidë, “pasi një borë apo shi me ra, ndërpritet.”
“Kemi pasë rezervime për Vitin e Ri, por i anuluam se nuk kishim energji elektrike,” kujton Shiqerukaj, i cili theksoi se një tjetër problem është dhe mungesa e internetit, për të cilin ka vetëm shërbim satelitor që ka kosto të lartë.
Një sfidë tjetër për Shiqerukaj është edhe mungesa e fuqisë punëtore, personelit të shërbimit, por edhe mungesa e marketeve apo e një supermarketi në fshatin Valbonë.
“Nuk ka punëtorë,” thotë thatë Arjani. “Banorët e zonës punojnë secili për hesap të vet,” shtoi ai.
Në vitin 2004, pasi u kthye nga emigracioni në Angli, Alfred Selimaj ishte ndër sipërmarrësit e parë që ka investuar në sektorin e turizmit në Valbonë. Ai bashkë me vëllezerit ka një kompleks bujtinash në lagjen Selimaj në Valbonë dhe kompleksin “Rilindja” në Qukë.
Në Valbonë po bëhet një investim për disiplinimin e ujërave të zeza me një fond prej rreth 325 mijë eurosh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por në këtë projekt nuk është e perfshirë e gjithë zona. Hoteli i Selimajt është një nga sipërmarrjet që nuk shërbehen nga rrjeti i ri.
“Nuk jemi përfshirë në projektin e kanalizimeve të ujërave të zeza,” thotë ai, ndërsa shpjegoi se funksionojnë akoma me gropa septike.
Selimaj ankohet se në Valbonë infrastruktura e shtigjeve dhe vendeve të vizitueshme është e dobët, ndërkohë që thekson se jo të gjithë turistët kanë mundësi për të punësuar guida turistike.
Një tjetër problem shqetësues, sipas Selimajt është edhe mosdisiplinimi i autokampingjeve dhe konkurrenca nga ana e bujtinave të paregjistruara.
“Duhet të ketë personel që kontrollon zonën që të detyrojë kampingjet të shkojnë në vendet e licensuara dhe të paguajnë një shumë, pasi ne u shërbejmë për internet, tualete, ujë të pijshëm,” shpjegoi ai, ndërsa theksoi se këtë çështje e ka ngritur dhe me bashkinë. “Na konkurrojnë ‘Guest House’ që nuk paguajnë asnjë lloj detyrimi,” shtoi Selimaj.
Në bashkinë e Tropojës thonë se në Valbonë ushtrojnë aktivitet turistik rreth 100 subjekte mikpritëse me rreth 1 mijë shtretër. Sipas zyrtarëve të kësaj bashkie, aktualisht në Valbonë po punohet në sistemimin e ujërave të zeza, por projekti është akoma në fazën fillestare.
“Në këtë projekt do të përfshihet e gjithë zona, por aktualisht jemi në fazën e parë të projektit,” thotë Abedin Kërnaja, nënkryetar i Bashkisë Tropojë.
Përsa i përket ujësjellësit të Valbonës, bashkia është e njohur me problemin, por sipas zyrtarëve të saj nuk ka një zgjidhje të shpejtë. Kërnaja shprehet se qeveria ka premtuar ndërtimin e një linje të re elektrike për në Valbonë, ndërkohë që shpresojnë që kompania ‘Gener 2’ do ta zgjerojë rrjetin e saj të fibrave optike, që tani arrin deri në HEC-in e Dragobisë.
Ndërkohë, nënkryetari i bashkisë tha se nuk kishte një plan konkret për displinimin e kampingjeve dhe burimet e pakëta financiare e kufizojnë mundësinë e saj për të ngritur ekipe shpëtimi, pasi bujtinat rrallëherë e paguanin taksën e fjetjes për vizitorët që mikprisnin. Numri dy i bashkisë së Tropojës pranon faktin se në Valbonë nuk ka mjek, por sipas tij ka një numër të shtuar të infermierëve.
“Mungesë të mjekëve kemi edhe në Bajram Curri”, përfundoi Kërnaja./BIRN/