Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot Kuvendin e Shqipërisë, duke shfuqizuar një nen të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, të preferuarit e kryetarit të partisë kishin më shumë shanse të bëheshin deputetë, ndërsa të tjerët duhet të thyenin atë që u quajt “herës”.
Vendimi i gjykatës erdhi pas një padie të bërë nga Astrit Patozi dhe Myslym Murrizi. Pas vendimit ka ardhur edhe reagimi i Astrit Patozit, që e cilësoi të duhur, edhe pse të vonuar.
“E përshëndesim vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e herësit të Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta. Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falenderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.
E kemi ditur që në fillim se nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit.
Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.
Pas kësaj, presim që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 përqind të hapura” deklaroi Patozi