Teologu Miron Cako thotë se syri i keq ekziston dhe shpjegimin e tij e lidh me energjinë negative të njeriut që mund të ndikojë tek një person tjetër. I ftuar këtë të martë në “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, teologu thotë se përtej kësaj bote ekziston një tjetër e padukshme dhe se njerëzit lakmitarë dhe ziliqarë preken nga kjo energji negative.
“Njeriu në vetvete nuk ka energji, është si një enë që mbart energjinë dhe e përcjell si pozitive dhe negative. Syri i keq është energjia negative që vjen nga forcat demoniake dhe qëndron tek njerëzit lakmitarë, egoistë, ziliqarë. Duke patur këtë energji që se dinë se nga e kanë, e përcjellin kur shikojnë diçka me lakmi.
Kisha Ortodokse e pranon syrin e keq dhe ka lutje të veçanta për prishjen e syrit të keq. Ekziston dhe njerëzit kanë shumë problematika dhe ndoshta rrezikon dhe jetën. Di dhe njoh shumë njerëz që e kanë pësuar nga syri i keq, disa kanë patur dhe fatalitete sidomos fëmijë që vuajnë më tepër nga syri i keq. Syri i keq sjell shumë dëme dhe fatkeqësi tek njerëzit.“, tha ai.
Si mund ta dallojmë kur bëhet fjalë për syrin e keq? “Një ndër shenjat është kur njeriu është mirë dhe ndjen një dhimbje koke, përshtjellim nervor, psikologjik ose një sëmundje që nuk i gjendet origjina. Përshembull shkon tek mjeku dhe të dalin mirë analizat. Kjo forcë e errët që se kapin aparaturat ka nevojë të largohet me urdhër hyjnor dhe i lutemi perëndisë të largojë energjinë negative nga x person. Mund të jetë një çift i lumtur dhe zihen për asgjë, apo duke ecur në rrugë dhe papritur rrëzohesh.”, shtoi teologu.
Më tej, ai thotë se nuk duhet besuar në astrologji, pasi sipas tij kjo në fakt e devijon njeriun nga Zoti dhe e lidh me demonët. ” Planetet janë trupa qiellorë që lëvizin në bazë të ligjeve fizike dhe nuk kanë asnjë lloj ndikimi tek njeriu. Astrologjia dhe horoskopi është një bestytni por kur njeriu beson këto shkëputet nga Zoti që është krijuesi dhe lidhet me energjitë demoniake që tallin njeriun dhe e devijojnë atë nga Zoti.
Na shkëpusin me perëndinë, ai i kontrollon jetët tona. Si mundet të besojmë se lëvizja e Hënës, Jupiterit, Marsit ndikon në jetën tënde, në marrëdhëniet shoqërore, është absurditet. Këto janë gjëra pa shpirt, njeriu duhet të ushqehet nga arsyeja dhe jo nga disa bindje të verbra. Këto vinin nga paganizmi ku njerëzit ishin primitivë por sot kur kemi mësuar shkencë dhe të besojmë se lëvizja e planeteve ndikon tek neve është absurditet.”, shtoi ai.
Nga vjen “syri i keq”? Teologu thotë se janë demonët, krijesa intelektuale që futen tek njerëzit dhe transmetohen energjinë negative nëpërmjet fjalëve, shikimit ose adresimit. Sipas tij, hudhra, patkoi, syri blu, plumbi apo shenja të tjera që përdoren nga njerëzit për t’u mbrojtur nga magjia e zezë nuk janë asgjë tjetër veçse bestytni dhe objekte që në fakt tërheqim frymën demoniake. Ai thotë se vetëm besimi në Zot mund të na çlirojë nga energjia negative.