Në ceremoninë e mbajtur për mbërritjen e kontingjentit të parë të 24 mijë vaksinave “Astra Zeneca” në Kosovë të sjella nga Aleanca Gavi COVAX, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se do të ndërmerren masa të shpejta për parandalimin e pandemisë.
“Masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që të parandalojnë numrin e infektimeve. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Qeveria jonë, që ju keni zgjedhur po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina”, – ka deklaruar ai.
Kurti ka akuzuar qeverisjen e kaluar për keq-menaxhim të pandemisë dhe ngecje të procesit të vaksinimit, për të cilën ka thënë se “kanë humbur kohë të çmuar”. Ai ka shprehur falënderim ndaj SHBA-së dhe BE-së për kontigjentin e vaksinave “Astra Zeneca”, teksa ka thënë se Kosovës i duhet solidaritet nga të gjithë.
“Vendi ynë është i vogël edhe i varfër, andaj ka nevojë për solidaritet nga të gjithë, sidomos nga SHBA dhe BE, të cilët janë donatorët kryesorë të aleancës COVAX”, – tha Kurti.