Ka kaluar gati një vit që tërmetit i 26 nëntorit të vitit të kaluar, gjynjëzoi për ditë të tëra disa prej qyteteve shqiptare, ku humbën jetën 51 persona, u plagosën dhjetra të tjerë. Qyteti i Durrësit rregjistroi humbjet më të mëdha, në viktima dhe dëme. Personat me aftësi të kufizuara në Durrës, veçanërisht para dhe tetraplegjikët, u prekën jo pak nga tërmeti me humbje jete dhe dëme. Ata dhe familjarë të tyre i vuajnë ende dyfish pasojat e tërmetit, ndërkohë që 11 muajë pas lëkundjeve të tokës, qyteti bregdetar “lundron” mes problemeve të panumërta dhe shpresës për zgjidhjen e tyre.
Jashtë mjediseve të Shoqatës së Invalidëve Para&Tetraplegjikë të Shqipërisë, Dega e Qarkut Durrës, dy të moshuar, të maskuar me maska artizane dalin me një pako të vogël me ushqime në duar, ndërsa pas tyre qëndrojnë konfort rregullave në pritje dhe tre qytetar të tjerë.
“Një ndihmë e vogël me ushqime që nga shoqata na morën në telefon dhe erdhëm e morëm”, thotë gruaja duke shtrënguar pas hundës maskën, ndërsa një buzëqeshje mirnjohëse i mbulon fytyrën dhe tiparet, që vështirë se mund tja lexosh moshën.
Ajo është nënë e një vajze me aftësi të kufizuara dhe sipas shoqatës kjo ndihmë është zbutja disi e shumë problemeve ekonomike, me të cilat përballet familja që mbijeton me dy pensione minimale dhe ndihmën ekonomike të vajzës, ndërkohë që nevojat e saj janë shumë herë më të mëdha.
Shoqata e Invalidëve Para&Tetraplegjikë të Shqipërisë, Dega e Qarkut Durrës, mundëson herë pas here mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave kryesisht në ushqime për anëtarët e saj, ndërkohë që tërmeti i ka vështirësuar dyfish hallet e tyre.
Për Avdije Hoxhën, e cila e drejton këtë shoqatë që prej pesë vitesh, tërmeti jo vetëm që vështirësoi shumë jetët e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht të para &tetraplegjikëve, por dhe familjarëve të tyre, të cilët vuajnë njësoj si ata.
Me një energji të madhe që e reflekton ndërsa flet dhe shpjegon, me buzëqeshjen që e karakterizon dhe me optimizmin që duket se ka lindur bashkë me të, pavarsisht sfidës që jeta i ka servirur, Avdija, ndihet krenare që dhe një herë ja ka dalë mbanë që të sigurojë ndihma për 60 anëtarët e shoqatës së saj.
Me një tjetër donacion arriti që të sigurojë këto ndihma dhe që sot po i shpërndan, ndërsa ndihet në fajë që nuk mund të ndihmojë dhe të tjerë persona me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikë që është e bindur se ka në Durrës, por nuk janë pjesë e shoqatës.
“Ne kemi të anëtarësuar 60 anëtarë, por në Qarkun e Durrësit ka më shumë persona me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikë, ndaj mua më vjen keq që nuk janë të rregjistruar, nuk i kemi kontaktet dhe nuk mund ti ndihmojmë sa mundemi”, thotë ajo për AdriaNet.
Problemet me të cilat përballet kjo pjesë e shoqërisë janë të mëdha, ndërkohë që tërmeti i shumëfishoj ato. Për Avdijen, ndonëse kanë kaluar plotë 11 muajë nga tërmeti i 26 nëntorit përjetimet janë ende shumë të freskëta.
“Ne jemi të destinuar të jetojmë në një karige me rrota, ndërkohë që shumë të tjerë qëndrojnë dhe në shtrat, në momentin që toka u lëkund ndër këmbët tona, ne më shumë se kushdo tjetër kishim nevojë për një dorë për të shpëtuar jetën, ndërkohë që ende sot kemi nevojë për ndihmë për të zbutur problemet që la tërmeti për dhjetra familje”, thotë Avdija.
Nga të dhënat që shoqata ka dy persona me aftësi të kufizuara, para dhe tertraplegjk, anëtarë të kësaj shoqate humbën jetën nga tërmeti, ndërkohë që 15 familje me anëtarë me aftësi të kufizuara janë shpërngulur nga banesat e tyre, duke vazhduar që të përballen ende me sfida.
Për Avdijen problemet janë shumë të mëdha, duke filluar që nga pagesa dhe mungesa e përshtatshmërisë në institucione dhe kudo.
“Pagesa që marrim është një lëmoshë që na japin, krahasuar me nevojat fizike që ka çdo persona me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikë, ndaj dhe tërmeti ishte treguesi që nxorri në pah këto probleme, thotë ajo.
Por, nga ana tjetër personat me aftësi të kufizuar pas tërmetit ashtu si dhe për çdo problem të tyre janë totalisht të varur nga familjarët dhe të afërm të tjerë.
“Ata nuk mund të marrin asnjë shërbim publik për shkak të mungesës së përshtatshmërisë në institucione dhe kudo. Ata nuk kanë asnjë vend-parkim të rezervuar (posaçërisht për invalidë);
nuk kanë siguri në rrugë, pasi dhe trotuaret nuk janë të përshtatur për karrige me rrota apo me bateri, le pastaj rampat që dhe ato që janë, nuk janë në standartet e rregullores që përcakton VKM 1503/2008, VKM që është rregullorja që përfshin gjithë standartet për Aksesueshmërinë për personat me Aftësi të Kufizuar”, thotë ajo.
Shumë familje që kanë anëtarë me aftësi të kufizuar pësuan dëme në banesa, u shpërngulën prej tyre dhe për Avdijen trajtimi për këto familje nuk ka qenë i duhuri.
“Pas tërmetit ajo që shoqata bëri ishte grumbullimi i të dhënave, çfarë kishte ndodhur me ta, ku ndodheshin, si ishin si po përballonin vështirësitë dhe e them me keqardhje se vëmendja institucionale ndaj kësaj kategorie mungoi”, thotë ajo.
E pyetur se çfarë mund të ishte bërë në situatat e termetit dhe COVID-19, që të lehtësoheshin problemet dhe nuk është bërë, ajo shton se patjetër duhej të ishte bërë më shumë.
“Duhej më tepër ndjeshmëri njerëzore. Si shtresë vulnerabël, duhet të ishin prioritet për strehim më afatgjatë; të trajtoheshin me përkujdesje dhe materiale sanitare, pasi erdhën aq shumë ndihma dhe nuk dimë ku i çuan, shërbimet sociale duhet të ishin më aktivë pasi kanë gjithë evidencën e paraplegjikëve dhe jo vetëm kur të “bërtasim” ne si shoqatë; duhet të preokupohen”, shton ajo.
Paraplegjikë që tërmeti i mori jetën, paraplegjikë që kanë humbur kontaktet me shoqatën sepse janë zhvendosur, familje të tëra që tërmeti dhe pandemia ua shtoi problematikat , pasi humbën punën, ose punonin në të zezë as u paguan nga “paga e luftës” dhe e vetmja mënyrë ushqyerje u bë pagesa mëshiruese që marrin Para&Tetraplegjikët.
Situata paraqitet e vështirë, nevojat janë minimale: ushqim, veshje, asksesueshmëri, paisje ndihmëse që tju lehtësojnë të përditshmen, të gjitha këto të kërkuara pa pushim, gjatë ditëve pas tërmetit dhe që kërkohen ende.
“Gjithçka kam kërkuar për këtë kategori, me zë të lartë, por shumë pak, për t’mos thënë asgjë, është arritur, pasi vetëm donatorë dhe individë na janë përgjigjur”, thotë Avdija.
Përballë kësaj situate që tërmeti la nga pas, duket se zbatueshmëria e kuadrit ligjor për këtë kategori është ende një ëndërr e largët.
“Tërmeti dhe më pas pandemia e COVID- 19 bëri që shumë problematika që lidhen me zbatimin e kuadrit ligjor për Aftësinë e Kufizuar, të liheshin mënjanë. Psh: marrja e masave dhe zbatimi i Ligjit 93/2014 & VKM 1074/2015 që lidhen me Përshtatshmëtinë Infrastrukturore e sociale për lehtësimin e marrjes së shërbimeve në institucione publike e social-kulturore, shëndetësi, arsim” përfundon ajo.
Erjola Azizolli/AdriaNet/Durrës/tetor 2020/