KQZ e vendos/ Rezultati i zgjedhjeve parlamentare do të shpallet më 26 prill në orën 08:00

Komisioni Rregullator ka ulur fashën orare se kur duhet të publikohet fituesi i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Në mbledhjen e sotme me votë unanime, 5-0, u vendos që KZAZ-të në të gjithë vendin, duhet të nxjerrin rezultatin para orës 08:00 të mëngjesit të 26 prillit.

Ky propozim erdhi fillimisht nga anëtari Arnes Çela, por u mbështet edhe nga kryetarja, Ilirjana Nano. Sipas kësaj të fundit kjo fashë orare do i vinte në ndihmë KZAZ-ve që të menaxhojnë më mirë punën e tyre.

“Pas dorëzimit nga KQV pranë KZAZ të pajisjeve dhe materialeve përkatëse, KZAZ mbyll ambientet ku do të kryhet numërimi. Rezultati do të shpallet të nesërmen e ditës së votimit, pra në orën 08:00. Gjatë natës ambienti vëzhgohet nga kamerat të cilët sigurojnë regjistrimin dhe transmetimin e pamjeve gjatë gjithë kohës në serverin e KQZ-së. KQZ-ja u mundëson subjekteve zgjedhore me kërkesë të tyre të shikojnë nga pajisjet e tyre pamjet e ambientit ku ruhen materialet zgjedhore”, thuhet në propozimin e ri që u miratua ditën e sotme.

Në zgjedhjet e kaluara, KZAZ ka pasur afat deri në orën 00:00 të ditës së nesërme të votimit për të nxjerrë rezultatet, teksa me vendimin ri është bërë 08:00.

Author: admin