Në komunën e Tuzit me shumicë shqiptare në Malin e Zi po shënohen tensione mëngjesin e sotëm pasi lokalet dhe baret kanë sfiduar vendimin e qeverisë malazeze për masat e izolimit duke i hapur ato për klientët.
Kryetari i komunës së Tuzit shqiptari Nik Gjeloshaj e ka quajtur vendimin e qeverisë malazeze për të mos lejuar hapjen e kafeneve në këtë qytet si diskriminuese dhe shenjë hakmarrjeje nga ana e kryeministrit Malazez Zdravko Krivokapic ndaj Gjeloshajt që e kritikoi atë për mos dërgimin e një mesazhi urimi për pavarësinë e Kosovës.
Gjeloshaj më parë tha për mediat vendase se ai iu drejtua Kryeministrit dhe Zëvendës Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic, duke i ftuar ata publikisht në një takim.
“Askush nuk u përgjigj, të gjithë heshtin, ata nuk u përgjigjen kërkesave tona.
Ne donim një dialog, për të na shpjeguar pse dhe mbi çfarë baze u diskriminuan furnizuesit e ushqimit në Tuzi, sepse të gjithë e dimë që komuna jonë i përket grupit të parë dhe nuk ka përshkallëzim të përhapjes së Covid në Tuz”, tha Gjeloshaj.
“Unë do t’i bëj thirrje qytetarëve që t’i rezistojnë kësaj ngjarjeje. Ky vendim është personal si hakmarrje për vendosjen e flamurit të Kosovës.
Asnjë komunë nga grupi i parë nuk është mbyllur, vetëm ne jemi të ndarë nga grupi i parë. Armiqtë janë ata që hakmerren, përkatësisht kryeministri Zdravko Krivokapic dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazovic”, deklaroi Gjeloshaj.
Për shkak të këtij vendimi të Gjeloshajt, Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë ka nisur hetimet që dje nëse ai ka kryer veprën penale të thirrjes për rezistencë. Tpz.al
Që prej vitit të kaluar, Mali i Zi ka një qeveri të re që sipas shumë analistëve është në ndikimin e fortë të Serbisë dhe qeverisë në Beograd.