Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka përcjellë një mesazh për zgjedhjet e 25 prillit.
Kisha sqaron se nuk merret me partitë politike dhe as vetë politikën, por thekson se është parim që qytetarët duhet të jenë të përgjegjshëm për të votuar.
Sipas Kishës, kriteri për të zgjedhur është për të votuar njerëz të pastër dhe kanë aftësinë të çojnë përpara vendin.
Mesazhi nga Kisha Ortodokse e Shqipërisë
“Dua që të rikujtoj edhe njëherë tjetër mendimin tonë si Kishë Ortodokse.
E kemi theksuar që në vitin e parë se Kisha jonë nuk merret me partitë politike dhe as nuk përzihet në çështjet politike që ka vendi. Ky është parimi i parë që ne si Kishë kemi ndjekur. Por ka dhe një parim të dytë që është mjaft i rëndësishëm. Ne, të Krishterët Ortodoksë, si qytetarë të këtij vendi, duhet të jemi të përgjegjshëm dhe kemi detyrimin për të votuar. Nuk mund të themi jemi indiferentë dhe nuk merremi me çështje të tilla si këto.
Mënyra se si zgjedhim, kriteri ynë është mjaft i rëndësishëm, zgjedhim njerëz të cilët janë të pastër, që nuk vënë më parë “Unin” e tyre dhe më pas vijmë “Ne” dhe kanë aftësinë për ta çuar vendin aty ku është përparimi, kuptimi i ndërsjellë dhe ecja përpara.
Dhe e përsëris, e drejta për të votuar është një detyrim mjaft i rëndësishëm që kemi ne”.