Dua Lipa është konsideruar si “mbretëresha e karantinës” duke u bërë një ndër artistet më të dëgjuara të vitit 2020 pasi publikoi albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”.
Në një intervistë për CBS, këngëtarja shqiptare është shprehur se në fillim mendonte nëse ishte momenti i duhur ta publikonte albumin, në një kohë kur bota u izolua.
“Ishte patjetër një moment kur po mendoja, nëse ishte vendimi i duhur për ta publikuar albumin.
Por kur po bëja këtë album, me të vërtetë shërbeu si një formë arratisjeje. Duhej të ndiqja instiktin tim të brendshëm që shpresoja se do të shërbente si pak dritë në errësirë dhe do t’i bënte njerëzit të kërcenin në shtëpi. Kjo ndoshta ishte saktësisht koha e duhur për ta publikuar,” u shpreh Dua.
Ajo foli dhe për suksesin e këngës së saj “New Rules”, hit i cili e futi atë në “Billboard Hot 100” duke u bërë një himn për këdo që po kalonte probleme në marrëdhënie.
Megjithëse shumë artistë përdorin emra skenikë, Dua nuk ka zgjedhur të bëjë një gjë të tillë. Ajo tha se ka mësuar ta vlerësojë emrin e saj dhe t’i nderojë rrënjës e saj.
“Dua’ do të thotë dashuri në gjuhën shqipe. Është vërtet interesante që unë kam emrin tim të vërtetë edhe në art.
Unë kam mësuar të vlerësoj emrin tim shumë më shumë. Duke jetuar në Londër me një emër si Dua, mendoj se thjesht doja të isha si të gjithë si çdo fëmijë tjetër,” është shprehur ndër të tjera këngëtarja shqiptare.